Origjina e Koronavirusit, SHBA dhe vende të tjera kontestojnë të dhënat e OBSH-së

SHBA dhe 13 vende të tjera kanë shprehur shqetësimin për raportin e publikuar nga OBSH mbi origjinën e COVID. Ata kanë bërë thirrje për më shumë transparencë në fazën e ardhshme të studimit.
“Ata nuk kanë qenë transparentë, nuk kanë ofruar të dhënat e duhura. Ky mision nuk ka pasur bashkëpunim. Ekspertët tanë, pas një analize të kryer ngritën shqetësimin se gjithçka ka mbetur tek hipotezat, të cilat nuk na çojnë pranë kuptimit apo më shumë njohurive nga sa kishim 6 apo 9 muaj më parë mbi origjinën”, u shpreh Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Ekipi që kreu studimin insiston se ishte vetëm fillimi dhe bën thirrje për durim, teksa pjesa dërrmuese e informacionit është në ardhje.
Raporti vlerëson se ka “të ngjarë” që virusi të jetë transferuar te njerëzit nga lakuriqët e natës, që e kanë marrë nga një kafshë tjetër që e ka bartur atë; ndërsa teorinë se virusi ka dalë nga laboratori e konsideron si “aspak të mundshme”.
“Aktualisht po kërkojmë fillimin e virusit në Wuhan dhe rreth tij dhe po lëvizim para e mbrapa për të gjetur se si ai mbërriti atje, nëse erdhi nga ndonjë zonë tjetër e Kinës, apo nga diku tjetër. Kjo varet nga studimet e mëtejshme. Ka pasur presion politik nga të gjitha palët, edhe nga jashtë Kinës, por ishim në gjendje të gjenim hapësirën që dy grupet e shkencëtarëve të punonin së bashku. Nuk kemi asgjë për të fshehur, ndaj nuk ka asnjë problem të punojmë në një ambient të hapur e të ndajmë rezultatet e punës sonë me të tjerët”, tha dr. Peter Ben Embarek, kryetar i misionit hetimor ndërkombëtar OBSH-Kinë.
Hetimi, që nisi një vit pasi u verifikuan rastet e para, është karakterizuar nga vonesat dhe përplasje diplomatike. Zbulimi i origjinës së virusit mund të ndihmojë shkencëtarët të parandalojnë pandemi të tjera, por çështja është e ndjeshme pasi Kina refuzon përgjegjësinë.