Osmani: Dua fitoren ndaj Tiranës, futbollistët do të japin maksimumin

Qatip Osmani, trajneri i Vllaznisë, është i qartë se çfarë përfaqëson sfida me Tiranën, një ndeshje “derbi” që kërkon ta fitojë me çdo kusht pasi një sukses i mundshëm përballë bardhebluve do t’i jepte një shtysë të madhe këtij sezoni.
“Për ne ndeshja e radhës është një ndeshje me rëndësi. Ashtu si me ekipet e tjera, në lojë janë tre pikët. Ekipi është përgatitur për ta fituar këtë ndeshje, sepse dhe rezultatet e fundit na kanë dhënë një vetëbesim. Sigurisht që është e veçantë nga ndeshjet e tjera, për shkak të rivalitetit, për shkak të prestigjit. Lojtarët janë të motivuar dhe të gatshëm për ndeshjen e nesërme. Sigurisht do bëjmë çmos për ta fituar ndeshjen.
Presim që të ketë sa më shumë tifozë në stadium dhe shumica e lojtarëve janë me përvojë, janë mësuar në një atmosferë të tillë. Është e mira për Vllazninë të ketë sa më shumë tifozë, sepse janë përkrahja e ekipit. Qarri është ende i lënduar, ndërsa Smajli do të jetë në formacion. Nuk bazohemi në formën e fundit të Tiranës, sepse e dimë që është një ‘derbi’. Ndonjëherë ka pasur dhe pak tifozë, po dhe ata që kanë ardhur na kanë ndihmuar shumë.
Tifozë që vijnë nga jashtë? Atëherë një motiv plus për t’i gëzuar ata njerëz që vijnë të shohin Vllazninë nga jashtë”, u shpreh Osmani.