Osmani: Gjuha dhe identiteti nuk u negociuan kurrë

Gazetar: Luka Andreev
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmnai, sot foli para deputetëve për negociatat me Bullgarinë, por nuk zbuloi detaje për përgjigjet e Maqedonisë për “Propozimin bullgar 5 + 1″ . Ai shpjegoi se nuk mund ta zbulojë përmbajtjen e “non-pejpërve”, sepse këto nuk janë dokumente zyrtare dhe, siç shtoi ai, në to nuk ka asgjë spektakolare, shkruan Alsat.
“Gjuha dhe atributet e tjera identitare janë çështje që lindin nga e drejta e vetëvendosjes së çdo personi, e çdo populli, e çdo bashkësie etnike, e çdo shteti dhe është një e drejtë e pakontestueshme, më e fortë se çdo e drejtë tjetër. Ne as nuk kemi negociuar dhe as nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë për këto çështje”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme
Osmani vlerësoi se në opinion po krijohet histeri, dhe ritheksoi se asnjë vendim nuk do të merret brenda natës në kundërshtim me interesat shtetërore.
Opozita e akuzoi ministrin se ka krijuar precedent duke mos dhënë detaje të negociatave, ua mohon mundësinë edhe ata të kontribuojnë në proces.
“Osmani foli për ndërtimin e qëndrimeve të përbashkëta, foli për pjekurinë, respektin dhe besimin reciprok. Si ne të kemi besim si deputetë të zgjedhur nga populli, deputetët zgjodhën qeverinë dhe qeveria nuk dëshiron të ndajë me ne një non-pejper, që është dërguar në Sofje në dhjetor”, tha Antonio Miloshoski – deputet i VMRO-DPMNE-së
Për bisedimet me Shkupin në Kuvendin e Bullgarisë llogaridhënie dha edhe kryeministri Kirill Petkov. Ai tha se kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka përkrahur hyrjen e bullgarëve në Kushtetutë, por që kjo të ndodhë mund të ketë kundërshtim nga opozita.
“Bullgarët do të hyjnë në Kushtetutë si popull, ashtu siç janë shqiptarët tani. Nga ai këndvështrim, ne jemi duke diskutuar kohën e saktë se kur do të ndodhë për momentin, dhe kjo është pjesë e bisedimeve, por ju siguroj se në kuadër të negociatave në fund kjo do të jetë fakt”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë
Nga ana tjetër, deputetja e opozitës bullgare, Ekaterina Zaharieva, i tha Petkovit, që të zvogëlojë entuziazmin dhe të mos i lërë në plan të dytë çështjet e vështira. /Alsat.mk