Osmani optimist, pavarësisht se Sofja betonoi veton dhe përforcoi linjat e kuqe

Gazetar: Adrian Kerimi

Kontesti me Bullgarinë mund të zgjidhet që në muajin janar derisa ka vullnet politik, thotë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani në intervistë për median bullgare Nova TV.

Sipas tij, argumentet e deritanishme nga ana bullgare për mungesë të stabilitetit politik janë shterur dhe tani palët mund të ulen dhe gjejnë zgjidhje. Momentalisht, Osmani marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes i cilëson si në nivelin më të ulët të mundshëm, shkruan Alsat.

“Unë kuptoj vetëm një argument pse deri tani nuk ka pasur zgjidhje, fakti se nuk ka pasur Qeveri politike. Por tani me të vërtetë nuk ka arsye të jepen afate të gjata kur ka Qeveri politike, shumicë stabile në të dyja vendet dhe mund të ulemi që nesër, të vazhdojmë bisedimet dhe që në muajin janar të kemi zgjidhje”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Shefi i diplomacisë ka shtuar se Bullgaria ka në duar fatin e rajonit për të cilin vendos nëse dëshiron ta integrojë ose dëshiron ta destabilizojë.

“Rajoni nuk ka alternativë përveç BE-së sepse ne nuk jemi në periferi të unionit, por jemi në zemrën e saj. Rajoni është i rrethuar nga vende anëtarë të unionit dhe ky i fundit nuk mund të lejojë një gropë në zemër. Gropat në trup janë ose për gjakosje ose për ndikime dhe hyrje nga jashtë. Ky mund të jetë rajoni nëse nuk investohet”, deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Duke folur për Qeverinë e re dhe qasjen e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, Osmani ka shtuar se Shkupi ka shpresë për kompromis, posaçërisht që përveç historisë të bisedohet edhe për çështje të tjera të cilat burojnë nga marrëveshja për fqinjësi të mirë e vitit 2017./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button