Osmani: S’ka marrëveshje të re me Sofjen, deklarata e Mickoskit është tendencioze

Ministri i jashtëm Osmani i quajti spekulime tendencioze pretendimet e kreut të VMRO-së Mickovski se Sofja po e kushtëzon fillimin e negociatave me një marrëveshje të re. “Nuk ka marrëveshje të re, por komunikim për të gjitha çështjet në nivele të ndryshme”, tha Osmani.
https://youtu.be/A1SfY0msh3w
Marrëdhëniet me fqinjët nuk rregullohen me plasim të përditshëm të infromatave në opinion e aq më pak me spekulime ose deklarata tendencioze, që kanë për qëllim ta ashpërsojnë atmosferën. Perspektiva evropiane është sfidë për gjithë vendin, jo vetëm për Qeverinë – deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Sipas Mickoskit, Sofja kërkon që me Kushtetutë të precizohet se identiteti maqedonas u krijua në vitin 1945. Sipas tij, për këtë kërkesë ka faj politikbërja e gabuar e Zaevit.
Ja do të ju jap një informatë ekskluzive: Le ta pyesim Ministrin e Jashtëm, Osmani a është e vërtetë se kërkesa e koleges së tij ishte të nënshkruhet një marrëveshje e re, të ngjashme me Marrëveshjen e Prespës, me ndryshime kushtetuese, ku do të definohet ekzistimi i popullit dhe gjuhës maqedonase nga viti 1945, ndërsa para 1945-tës se kemi qenë diçka tjetër! Ta pyesim a është e vërtetë se ky është kushti për vazhdim të mëtejmë të negociatave me BE-në! – tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.
Zaev tha se në vend se të komentohen deklarata të papërgjegjshme, fokusi duhet të vihet tek zgjidhja pasi bllokimi i negociatave me BE-në nuk është as në interes të Bullgarisë.
Atë që e përmendi Mickoski, nuk e di çka mendon saktësisht. Ne kemi bisedime publike, një pjesë prej të cilave me materiale të shkruara. Ne jemi të përgjegjshëm. Duam marrëveshje që vendi të na shkojë përpara. Besoj se e japim maksimumin që të arrijmë marrëveshje, duke i mbrojtur maksimalisht interesat tona, por duke pasur kujdes edhe për interesat e palës bullgare – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Ndryshe, komisioni i përbashkët i ekspertëve takohet të enjten dhe të premten në Shkup për ta diskutuar çështjen e Goce Dellçevit.
Anesa SaliHu