Osmani thyen heshtjen e BDI-së për Merkon
Osmani thyen heshtjen e BDI-së për Merkon

Gazetar: Adrian Kerimi
BDI thyen heshtjen dy ditore pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të futur në listën e zezë funksionarin e lartë të kësaj partie, kryetarin e Strugës, Ramiz Merko. Sipas zëdhënësit Bujar Osmani, Merko pas takimit me kreun e partisë ka kërkuar t’i ngrihet anëtarësia dhe pozitat partiake.
“BDI kërkon nga institucionet të hapin hetim gjithëpërfshirës për Ramiz Merkon për të gjitha pretendimet dhe informacionet e mundshme nga raporti i DASH. BDI pranon vendimin e Merkos për të ngrirë anëtarësinë në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm deri sa të përfundon hetimi. BDI pezullon aktivitetin partiak zgjedhor në Strugë”, u shpreh Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
Megjithatë, as konstatimet e DASH dhe as hetimet të organeve vendase nuk bindin BDI-në që të përjashton Merkon.
SINKRON – “Ngrirja e anëtarësisë do të thotë se nuk je anëtarë i kryesisë dhe këshillit. Ne mund të bëjmë lojë fjalësh dhe t’i japim drejtim por situata është e qartë”, tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së.
BDI kërkon që institucionet të hapin hetim gjithëpërfshirës për Merkon. Integristët thonë se mbeten të vendosur për “Vetting” ndaj të gjitha figurave politike dhe bartësve të funksioneve publike. Subjekti që plotë 20 vite deklaron se partneriteti strategjik më SHBA-të nuk ka alternativë, tani beson se fjalën e fundit duhet ta thonë institucionet vendase të cilat duhet t’i vërtetojnë sipas tyre pretendimet e DASH-it. Kreu i integristëve në janar të këtij viti kishte një porosi për personat të cilët do ta gjejnë veten në listën e zezë.
“Nëse ka lista të zeza dhe ky vlerësim është bërë nga Departamenti i Shtetit, përhajër u qoftë atyre që do të jenë në ato lista”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler dje tha se lista e personave “non grata” do të zgjerohet, por askush nuk mund ta di se cilin e pret fati i Merkos. /alsat.mk