Pamje të reja të terroristëve në Banjskë

Pamje të reja të terroristëve në Banjskë

Gazetar: Adrian Kerimi

Pamje të reja po pushtojnë mediat në Kosovë dhe anembanë, të filmuara me dron nga policia e Kosovës. Më të fundit, janë pamjet që tregojnë grupin e armatosur prej të paktën 11 personash, njëri prej të cilëve i plagosur.

Filmimi është kryer me dron, dhe personat janë të strukur krahëve të mureve. Në to shfaqet edhe Milan Radoiçiq, nënkryetar i listës serbe, i cili shfaqet duke folur në telefon. Policia e Kosovës duket se ka pasur kontroll të plotë ndaj grupit, jo vetëm me dronë, snajperë por edhe kontrollin e antenave që kanë çuar në përgjimin e lëvizjeve të grupit, por këto detaje ende nuk kanë dalë në opinion.

Radoiçiq që shfaqet në pamje, akuzohet për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, në vitin 2018 dhe për veprimtaritë e tij kriminale, jo më kot ishte vendosur edhe në listat e zeza amerikane dhe britanike.

Ndërkohë, në pamjet e lëshuara dje në mbrëmje nga policia e Kosovës, shfaqet gjithashtu rrethina e manastirit dhe largimi i grupit, duke u orvatur shpateve të kodrës së Banjskës.

Një pjesë e njohësve të sigurisë thonë se kjo lëvizje taktike nga policia e Kosovës ka pasur për qëllim evitimin e ndonjë gjakderdhjeje më të madhe në këtë manastir. Në pamjet me dron dukeshin të paktën 28 persona që lënë në grupe manastirin. Ky korridor mendohet se synoi shmangien e një numri më të madh viktimash apo përshkallëzim të situatës. Nga hetimet e deritanishme, policia ka shpalosur edhe arsenalin e gjerë të armëve të sekuestruara, ndërsa 3 kriminelët serbë sot dolën para gjykatës së Republikës së Kosovës, me veprën e terrorizmit, dhe u është caktuar masa e paraburgimit 1 mujor. Në aksionin anti-terror në veri, policia e Kosovës eliminoi 5 terroristë, 3 të tjerë mbetën të plagosur brenda territorit të Kosovës, ndërsa 6 të plagosur të tjerë sipas autoriteteve të Kosovës, po kurohen në Novi Pazar. Nga ana tjetër, edhe Milan Radoiçiq gjithashtu u plagosur, dyshohet se ka gjetur strehë për kurim, në spitalin ushtarak të Beogradit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button