Papa Françesku përfundon vizitën në Irak

Papa Françesku tha të hënën se ai vendosi ta vizitojë Irakun, megjithë rritjen e rasteve me COVID, pas shumë lutjesh dhe meditimesh dhe shtoi se Zoti do t’i mbrojë nga virusi ata që erdhën ta takonin.Duke folur para gazetarëve në aeroplan gjatë kthimit nga udhëtimi i tij në Irak, Papa tha se ishte i vetëdijshëm që disa katolikë konservatorë do ta shihnin takimin e tij me Ajatollahun e Madh Ali al-Sistani, si “një ngjarje që e ndante vetëm hap nga herezia”, por shtoi se nganjëherë është e nevojshme të rrezikosh për hir të marrëdhënieve ndërfetare.
Papa 84-vjeçar tha se kjo vizitë, e para jashtë vendit pas 16 muajsh, e kishte lodhur shumë më tepër se sa udhëtimet e mëparshme.
Por ai shtoi se ndihej “i rilindur” pasi “i dukej sikur kishte qenë i burgosur” nga kufizimet e koronavirusit. Ai tha se “84 vjet nuk vijnë pa një bagazh” dhe se nuk mund të thotë nëse do të bënte më pak udhëtime në të ardhmen.

VIZITA

Papa Françesku u largua të hënën nga Iraku pas një vizite katër ditëshe që përfshinte takime me udhëheqës të krishterë dhe myslimanë, gjatë së cilës predikoi mesazhin e bashkëjetesës.
Presidenti irakian Barham Salih ishte në mesin e atyre që morën pjesë në një ceremoni lamtumire në aeroportin e Bagdadit.
Të dielën, papa vizitoi Mosulin, dikur një bastion i grupit militant Shteti Islamik, ku ai u lut për viktimat e luftës në Irak në një shesh të qytetit.
Papa Françesku udhëtoi gjithashtu në Karakosh, një qytet i lashtë i krishterë që ishte pushtuar nga forcat e Shtetit Islamik. Ai u takua me pjesëtarët e komunitetit lokal në Kishën “Ngjizja e Papërlyer”.

Ai udhëhoqi një meshë nën qiellin e hapur në në stadiumin Franso Hariri në Erbil. Për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë e COVID-19, pjesëmarrja ishte e kufizuar në 10 mijë veta.
Të shtunën, papa 84 vjeçar u takua me Ajatollahun e Madh, Ali al-Sistani, udhëheqësin 90 vjeçar mysliman në shtëpinë e tij modeste në Najaf.
Alia al-Sistani është një nga personalitetet më të rëndësishme Shiite dhe ushtron ndikim të konsiderueshëm në Irak dhe më gjerë.Prania e të krishterëve në Irak daton që në shekujt e parë të shpërndarjes së besimit, por sot kanë mbetur vetëm disa qindra mijëra të krishterë.
Vizita e papës në Irak ishte e 33-ta jashtë Italisë dhe e para në 15 muajt e fundit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

LEXO EDHE:

Back to top button