Papa: Mesdheu është bërë varreza më e madhe e Evropës

Papa Françesku gjatë lutjeve të së dielës (13 qershor) tha se Mesdheu është bërë një nga “varrezat më të mëdha në Evropë”, pasi kujtoi shumë migrantë që kanë humbur jetën në këtë rajon, duke u përpjekur të mbërrijnë në Evropë.

Ai e ndërlidhi këtë çështje me një ceremoni që u zhvillua në Sicili për të shënuar tragjedinë e vitit 2015 kur rreth 800 migrantë që po shkonin nga Libia në Itali u mbytën pasi anija e tyre u përmbys.

“Kaq shumë tragjedi në Detin Mesdhe do të vazhdojnë të sfidojnë ndërgjegjen e të gjithëve”, tha Papa.

“Le të mendojmë për këtë: Mesdheu është bërë varreza më e madhe e Evropës”, shtoi ai.

Çdo vit, mijëra njerëz nga Afrika e Veriut nisen për në Evropë për një jetë më të mirë. Ata shpesh e bëjnë rrugëtimin me anije të mbingarkuara të drejtuara nga trafikuesit e qenieve njerëzore.

Disa anije mbërritën në ishullin e vogël të Lampeduzës në Itali të shtunën (12 qershor).

Mesdheu qendror është një nga rrugët më vdekjeprurëse të migrimit në botë.

Më shumë se 500 njerëz kanë vdekur gjatë shkuarjes në Itali dhe Maltë midis janarit dhe mesit të majit të këtij viti, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migracionin.

LEXO EDHE:

Back to top button