Papa: Nuk duhet të lejojmë virusin e individualizmit radikal të na mposhtë

“Tani kemi më shumë se kurrë nevojë për vëllazëri. E Zoti na e ofron këtë duke na dhuruar të birin e tij, Jezusin. Një vëllazëri bazuar mbi dashurinë e vërtetë. Për t’u kujdesur për tjetrin edhe pse nuk është i etnisë, kulturës, apo fesë sime. Është vëllai apo motra ime”. Kështu e nisi Papa Françesku fjalimin e përvitshëm me rastin e Krishtlindjes, të quajtur “Urbi et Orbi”.

Përtej fjalëve tradicionale mbi dashurinë për Zotin dhe njëri-tjetrin, Bergoglio bëri edhe një thirrje për mbizotërim të kolektivit mbi individin, sidomos në këtë vit të dominuar nga pandemia e koronavirusit.

“Sot, në këtë kohë errësire e pasigurish për shkak të pandemisë, na shfaqen disa drita, si zbulimi i vaksinave. Por, që këto drita të mund të ndriçojnë e t’i japin shpresë gjithë botës, duhet të jenë në dispozicion të të gjithëve”, tha Papa.

“Nuk mund të lejojmë që nacionalizmat e mbyllur të na pengojnë të jetojmë si familje e vërtetë njerëzore, siç jemi. As nuk mund të lejojmë që virusi i individualizmit radikal të na mposhtë e të na bëjë indiferentë ndaj vuajtjes së të tjerëve. Iu lutem të gjithëve të promovojnë bashkëpunimin dhe jo konkurrencën, e të gjejnë një zgjidhje për të gjithë, vaksina për të gjithë. Sidomos për më të vuajturit në planet. Ata në vend të parë”.

LEXO EDHE:

Back to top button