Paraburgim për tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe
Paraburgim për tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe

Tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot iu shqiptua masa e paraburgimit.
Policëve iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.
Ndërsa, avokati serb, Cedomir Stojkoviq, paraprakisht u shpreh se cilido qoftë vendimi për policët e Kosovës, ai është marrë personalisht nga Aleksandar Vuçiq.
Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe./KosovaPress