Paralajmërimi i Mickoskit – Ja nga cili shtet i BE-së, pritet të jetë huamarrja prej 1 miliard eurosh

Paralajmërimi i Mickoskit – Ja nga cili shtet i BE-së, pritet të jetë huamarrja prej 1 miliard eurosh

Gazetar: Adnan Qaili

Huamarrja prej 1 miliard eurove e paralajmëruar nga mandatari Hristijan Mickoski do të jetë nga një shtete i BE-së.

Jo zyrtarisht Alsat mëson se Hungaria është shteti që do ti japë kredi Maqedonisë së Veriut. Por, askush këtë nuk e konfirmon, vetëm se në pyetjet e sektorit të biznesit thanë se kamata e interesit do të jetë 2,5%.

Nuk dihen as periudha e kthimit dhe kushtet tjera ndërshtetërore që do të përcaktohen ndërmjet Shkupit dhe Budapestit zyrtar.

Nga Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se çdo huamarrje për investime kapitale është e mirëseardhur sepse shton kapacitet ekonomike në vend.

“Kemi informata se ky 1 miliard është me kushte të favorshme me kamatë interesi 2,5% me sa kam dëgjuar. Normalisht që investimet ku kanë të bëjnë me ekonominë besoj se është shumë lehtë të kthehen. Problemi është në kreditë që merren për fushën sociale nuk mund të kthehen dhe bëhet ngarkesë e vetë qytetarëve por edhe shtetit apo kompanive për ti kthyer sërish”, tha Mendi Qyra, Kryetar i OEMVP.

Ndikimi politik mbi zhvillimin ekonomik të vendit u diskutua edhe nga profesori universitar, në periudhën kur forcat djathtiste dominojnë edhe në pushtetet e vendeve anëtare të BE-së.

Se kjo rrymë politike do të jetë më dorëshlirë edhe për ekzekutivin e ri të vendit tonë, pritet të shihet tha Izet Zeqiri.

“Nuk mund të prejudikoj, nuk e di si do të shkojnë rrjedhat më andej, nuk do të mund të them kështu apo ashtu pa mos e parë qasjen të cilën do ta ketë kjo qeveri. Kjo do të thotë implementimi i politikave të brendshme dhe të jashtme sepse gjithçka është e lidhur. Do të shohim sa do të fokusohet në ekonomi apo më shumë kjo qeveri e re do të fokusohet në politikë. Por, politika pa ekonomi është pa perspektivë”, u shpreh Izet Zeqiri, Profesor ekonomist.

Së fundmi mandatari Mickoski paralajmëroi një park të ri me erë për prodhimin e energjisë elektrike që do të prodhojë një TW/h energji elektrike ose sa 20% të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Akoma nuk dihet nëse ndër investimet më të mëdha të huaja në vend për prodhimi e rrymës nga burimet e ripërtëritshme, do të jenë në kuadër të këtij projekti për huamarrje prej 1 miliard eurove. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button