Paraqitet si hoxhë – përdhunon 9-vjeçaren në Gostivar

Adnan Qaili

Mashtruesi 37 vjeç nga Koçani i vetë deklaruar si hoxhë ka përdhunuar një 9 vjeçe në shtëpinë e saj. Ngjarja ka ndodhur në Gostivar, ku i dyshuari me thirrje të nënës së saj ka shkuar për t’i shëruar magjinë e zezë vajzës së mitur. Për këtë krim makabër Prokuroria Publike në Gostivar ka ngritur hetim ndaj një personi për vepër penale “sulm seksual ndaj fëmijës nën moshën 14 vjeçare”. Gjithashtu ndaj tij dhe ndaj dy të dyshuarve të tjerë si bashkëpunëtorë ka nisur procedura për veprën penale “mashtrim”.

“I dyshuari i parë, 37 vjeçar, banues në Koçan, në dy raste më 23 dhe 24 nëntor në një banesë në Gostivar, ka kryer akt seksual ndaj një fëmije të lindur në vitin 2012. Nëna e fëmijës ka thirrur të dyshuarin, i cili është prezantuar si hoxhë, për ta “shëruar” fëmijën nga magjia e zezë. I dyshuari ka kërkuar të lihet vetëm me fëmijën viktimë në dhomë dhe e ka detyruar atë në akte seksuale. Viktima, nga frika nuk i ka treguar asgjë nënës së saj”, njoftojnë nga SPB Gostivar.

Por, kur nëna ka dashur ta thërrasë për të herë tretën të dyshuarin më 5 dhjetor, vajza e shqetësuar ka treguar se çfarë po ndodh me të, pas së cilës ngjarja është denoncuar në SPB Gostivar. Nga Prokuroria gjithashtu sqarojnë se i dyshuari, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tjerë nga Gostivari, kanë mashtruar edhe një viktimë tjetër.

“I dyshuari i parë, në marrëveshje me dy të tjerët, i është prezantuar të dëmtuarës si hoxhë i cili do ta ndihmojë në largimin e magjisë së zeza nga shtëpia e saj. Në disa raste, të tre e bindën atë se për të hequr magjitë, duhej të nxirrnin objekte të ndryshme nga varrezat dhe kështu të nxirrnin magjitë nga ajo dhe shtëpia e saj. Për shërbimin i kanë kërkuar gjithsej 98.000 denarë”, thonë nga Prokuroria Publike – Gostivar.

Sipas autoritetit hetues, kur ata filluan të bien dakord për një takim të ri, e dëmtuara dyshoi se ajo ishte mashtruar dhe rastin e denoncoi në polici. Për të dyshuarin e parë, Prokuroria Publike Gostivar, gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit, ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë janë propozuar masa të kujdesit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button