Parlamenti Evropian miratoi Raportin për Maqedoninë, por fshiu referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas
Parlamenti Evropian miratoi Raportin për Maqedoninë, por fshiu referencat për gjuhën dhe identitetin maqedonas

Gazetare: Fatlume Dervishi
Eurodeputetët i fshinë termat gjuhë dhe identitet maqedonas nga Raporti i Progresit për Maqedoninë i përgatitur nga eurodeputeti austriak Tomas Vajc, dhe në versionin përfundimtar të dokumentit, i cili u miratua, nuk përmendet gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas. Amendamenti i përbashkët për fshirjen e gjuhës maqedonase ishte propoozuar nga eurodeputetët e Partisë Popullore Evropiane, Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve dhe Ripërtëritja e Evropës.
Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Vajc tha se të pranosh identitetin dhe gjuhën e një shteti nuk duhet të jetë problem por se respekton vendimin demokratik të shumicës në Parlament. Raporti thekson se negociatat mund të fillojnë sapo vendi të zbatojë ndryshimet kushtetuese dhe të sigurojë të drejtat e pakicave.
“Amendamentet erdhën nga katër grupe dhe nuk mendoj se ishte gabim. Por përmes një procesi demokratik është vendosur që këto tema të mos preken në këtë raport dhe mendoj se është një vendim demokratik të cilin duhet ta pranoj”, tha Tomas Vajc, Eurodeputet, raportues për Maqedoninë.
Vajc tha se vendi ka zbatuar një sërë reformash dhe ka ndryshuar disa ligje, por i mbetet akoma punë për të bërë.
“Raporti flet për reformat që ka nevojë të bëhen akoma, për situatat në shtet që janë akoma shumë larg standardeve Evropiane, flet për sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, flet për luftën ndaj korrupsionit. Asnjë nga këto shtete nuk është i lirë nga korrupsioni por çështja është a ka institucione që në mënyrë efektive mund ta luftojnë korrupsionin e përditshëm por edhe korrupsionin e nivelit të lartë. Ne kemi biseduar edhe për standardet e ambientit jetësor. Ky shtet është një vend i mrekullueshëm me pasuri natyrore të mrekullueshme por gjithashtu mungon menaxhimi i mbeturinave, menaxhimi i ujërave të zeza, ka shumë ndotje të ajrit, për të cilën qytetarët ankohen shumë”, u shpreh Tomas Vajc, Eurodeputet, raportues për Maqedoninë. /Alsat.mk