Partitë e koalicionit qeverisës deri të dielën pritet të zyrtarizojnë emrat e kandidatëve për ministra

Partitë e koalicionit qeverisës deri të dielën pritet të zyrtarizojnë emrat e kandidatëve për ministra

Gazetar: Adrian Kerimi

Alternativa pritet që sonte të përmbyll kabinetin qeveritar duke përcaktuar kandidatët për ministra dhe zëvendësministra. Orhan Murtezani mësohet se do të jetë kandidati për ministër për Eurointegrime ndërsa Safije Sadiki-Shahini për zëvendësministre në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive. Alternativa në kuadër të VLEN do të ketë edhe zëvendësministër në Arsim, emri i të cilit do të mësohet në mbledhjen e sotme të kryesisë. Në kuadër të VLEN pothuasjve është kompletuar kabineti Qeveritar me ministra dhe zëvendësministra. Ditë më parë Lëvizja Besa propozoi emrat e dy ministrave. Fatmir Limani për Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Besar Durmishi kandidat për Ministër i Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Sedat Sulejmani kandidat për zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit. Arben Taravari do të jetë ministër i Shëndetësisë, ndërsa për zëvendës në Bujqësi dhe Mbrojtje lakohen emrat e Flakron Bexhetit dhe Elfete Ismailit. Izet Mexhiti do të jetë Ministër i Ekologjisë dhe do të udhëhiqet si zëvendëskryeministër i parë, ndërsa Zëvendëskryeministër për Qeverisje të mirë pritet të propozohet Arben Fetai. Zëvendësministër i Brendshëm pozita e cila do t’i takon subjektit të Izet Mexhtiti, jo zyrtarisht mësohet se do të propozohet emri i Muamet Ametit.

Në kuadër të VMRO-DPMNE, sipas informacioneve jo zyrtare Timço Mucunski mund të propozohet për ministër të Jashtëm, ndërsa Aleksandar Nikollovski për ministër të Transportit dhe Lidhjeve. Vllado Misajllovski mund të propozohet ministër i Mbrojtjes ndërsa Pançe Toshkovski akoma nuk është definuar nëse do të jetë sekretar i përgjithshëm i Qeverisë apo do të mbetet ministër i Brendshëm. Për ministre të arsimit përflitet emri i Vesna Janevskës. Në Bujqësi lakohet emri i Stefan Trifunovskit, ndërsa për Kulturë dhe Ministrinë e Energjetikës emrat do të mësohen nga mbledhja e organeve të partisë të dielën kur Hristijan Mickoski ka ftuar Komitetin Qendror dhe atë Ekzekutiv.

Edhe partia ZNAM e Maksim Dimitrievskit ka propozuar emrat për ministra. Në Drejtësi mandatarit i është propozuar Igor Filkov, ndërsa në Administratë Goran Minçev.
Përveç në ekzekutiv, nga VMRO-DPMNE-ja kanë buruar edhe emra të kandidatëve jashtë ekzekutivit. Ish ministri i Financave, Zoran Stavrevski përflitet për Guvernator, ndërsa ish kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski për drejtor në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore.

LEXO EDHE:

Back to top button