Partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e Flipçes për dështimin e procesit të vaksinimit

Maqedonia e Veriut është vendi i parafundit në rajon sa i përket procesit të imunizimit të popullsisë me vaksinat antikovid. Të dhënat e platformës të hulumtimeve “Our World in Data” tregojnë se në vendin tonë vetëm 9,6% e qytetarëve janë vaksinuar me dy dozat e vaksinave. Këto shifra kanë nxitur reagimin e partive opozitare, të cilat ngecjen e imunizimit e lidhin me paaftësinë e pushtetit për të siguruar vaksinat. Nga Aleanca për Shqiptarët thanë se shtetasit tanë në mungesë të vaksinave shkojnë të vaksinohen në shtetet fqinje.

https://www.youtube.com/watch?v=64AaXdjDGVg&feature=youtu.be

 Përveç keq menaxhimit të kovid-19, Qeveria 2 LSDM-BDI kanë dështuar totalisht në vaksinimin masiv të shtetasve të saj që vërtetoi dyshimet dhe parashikimet tona. Koalicioni ASH-AAA kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të intensifikojë vaksino-diplomacinë dhe të kontraktojë direkt me shtëpitë farmaceutike për sigurim të sasive adekuate e jo me ndërmjetësues që na bën të dyshojmë në loja të pista të qeveritarëve.”- deklaroi Bekim Tateshi, Koalicioni ASH-AAA.

VMRO-DPMNE-së sërish të kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe.

 Në lidhje me vaksinimin, Maqedonia ishte e fundit në Botë dhe Evropë që filloi me vaksinimin, tani po ecën shumë ngadalë procesi imunizimit, me kapacitete të pakta vaksinimi. Maqedonia është vendi me vdekshmëri më të lartë në botë. Me jetë njerëzish e paguajmë paaftësinë e këtyre vasalëve dhe tani vaksinimi nuk mund të vazhdojë sepse thjeshtë nuk kanë siguruar vaksina.”- pohoi Vllatko Gjorçev, VMRO-DPMNE.

 Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në gjithë globin 21.5% e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19. 2.6 miliardë doza janë administruar globalisht dhe 36.1 milion administrohen tani çdo ditë. OBSH thotë se vetëm 0.8% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë të paktën një dozë të vaksinave anti-kovid.

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button