Partizani në turin e tretë gjen letonezët e Valmiera-s

Partizani e ktheu në formalitet ndeshjen e kthimit ndaj Atletik Eskaldes. Pasi fitoi ndeshjen e parë 1-0 në Andorrë, “të kuqtë” triumfuan edhe në kryeqytet para mbështetësve në “Air Albania” me rezultatin e pastër 4-1 për të vijuar rrugëtimin në Ligën e Konferencës.

Në minutën e 28-të erdhi dhe zhbllokimi i rezultatit nga Cara, i cili shtyu në rrjetë topin e kthyer nga portierin pas goditjes së Mba. Murataj humbi një rast të pastër, duke finalizuar keq në përmbyllje ne një kundërsulmi të shpejtë. Tedi Cara realizoi golin e dytë në fundin e fraksionit hapës, duke shmangur disa lojtarë në vijën e 16 metrave. Duhet theksuar se të kuqtë shfaqën disa pasiguri, që për fatin e tyre të mirë nuk u shfrytëzuan nga kundërshtari. Partizani, i çliruar psikologjikisht, e nisi me dominim edhe pjesën e dytë. Në minutën e 64-t erdhi edhe goli i tretë, që mban firmën e Rrapajt.

Modestët e Andorrës shënuan golin e nderit në fundin e kohës shtesë, ku nga pika e penalltisë Lopez u tregua i saktë. Gjithsesi, ky gol nuk e prishi atmosferën pozitive në Air Albania me Partizanin që shënoi menjëherë pas finalizimit të Lopez me Grezdën, që gjeti golin e parë me fanellën e Partizanit.

Në këtë mënyrë, Partizani avancon më tej në turin e tretë të Ligës së Konferencës, aty ku do të gjejë letonezët e Valmierës që vijnë pas një kalimi turi rekord ndaj kundërshtarëve modestë të San Marinos, Tre Pene, me rezultatin e përgjithshëm 10-0.

LEXO EDHE:

Back to top button