Parukierët janë më të kujdesshëm në trafik, avokatët parakalojnë më shumë dhe mjekët janë shoferët më agresivë!

Një studim i drejtuesve britanikë zbulon një lidhje midis profesioneve të shoferëve dhe zakoneve të tyre të drejtimit, rezultatet e hulumtimit tregojnë se mjekët zënë vendin e parë për vozitje agresive , ndërsa parukierët janë shoferët më të qetë

Hulumtimet tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis profesionit dhe zakoneve të vozitjes, duke zbuluar se cilat profesione janë më të prirura për shpejtësi, parkim jo të duhur dhe sjellje të rrezikshme në trafik.

Sipas një sondazhi me 2000 britanikë, punëtorët e ndërtimit u dalluan si shoferët më të shpejtë, me më shumë se 70 për qind e të anketuarve që pranuan se rregullisht e thyenin kufirin e shpejtësisë.

Nga ana tjetër, profesionistët e mjekësisë pranojnë se shpesh kanë një fitil të shkurtër gjatë vozitjes dhe më shumë se një e katërta e tyre përdorin gjeste dhe britma të papërshtatshme për të shprehur zhgënjimet e tyre gjatë vozitjes.

Është interesante që parukierët tregojnë mirësjellje të veçantë në rrugë. Pothuajse të gjithë të anketuarit nga ky profesion thonë se i lënë rregullisht të tjerët të tërhiqen para tyre, ndërsa punonjësit e BNJ-së e kanë më të vështirë parkimin.

Nga ana tjetër, elektricistët shpeshherë harrojnë të japin sinjal kur dalin nga rrethrrotullimi, shkruan “ThisisMoney”.

Hulumtimi tregoi gjithashtu se avokatët, punonjësit e medias dhe sipërmarrësit shpesh parakalojnë dhe hyjnë në korsinë tjetër kur nuk duhet, duke treguar një tendencë drejt sjelljeve të rrezikshme.

Përkundër kësaj sjelljeje, shumica e shoferëve besojnë se drejtojnë mirë dhe kujdesen për sigurinë në komunikacion, edhe pse një numër i madh i tyre kanë pranuar se shpesh ndihen të frustruar ose të zemëruar gjatë ngasjes.

Shumica dërrmuese besojnë se ngasja do të ishte më e këndshme nëse të gjithë shoferët do të ishin më të sjellshëm.

Ky studim jo vetëm që tregon lidhjen midis titullit profesional dhe stilit të drejtimit, por gjithashtu thekson rëndësinë e mirësjelljes dhe durimit në trafik, duke na kujtuar se sjellja jonë pas timonit mund të ketë një ndikim të madh në sigurinë dhe komoditetin e përgjithshëm në trafik.

LEXO EDHE:

Back to top button