Pas 22 sezonesh, Kielini ka vendosur t’i thotë lamtumirë futbollit

Xhorxhio Kielini ka vendosur të largohet nga futbolli aktiv. Ish-mbrojtësi i Juventusit dhe i kombëtares italiane, siç raporton Romeo Agresti, do ta përfundojë karrierën e tij më 31 dhjetor, kur skadon kontrata që e lidh me Los Angeles FC. Ishte ai vetë, vetëm disa ditë më parë, i cili la të kuptohet se finalja e MLS, e humbur kundër Kolumbus Kru mund të ishte ndeshja e tij e fundit. Tani jemi në pritje të njoftimit zyrtar të tërheqjes.
Kielini do të thotë lamtumirë me bukurinë e 23 sezoneve si profesionist pas tij, 17 prej të cilave me fanellën e Juventusit, me të cilën luajti 561 ndeshje (i 3-ti të gjitha kohërave, pas Del Piero dhe Bufonit) dhe shënoi 36 gola midis viteve 2005 dhe 2022. “Palmarèsi” i tij flet për 9 kampionate të fituara në Itali (radhazi), 5 Kupa Italiane dhe 5 Superkupa Italiane, të cilave duhet t’iu shtohet edhe një kampionat MLS i fituar në fund të vitit 2022. Ai ka 117 paraqitje me kombëtaren italiane (i 5-ti i të gjitha kohërave), nga të cilat 22 si kapiten.
Midis tyre, natyrisht, finalja e “Euro 2020”, në fund të së cilës ai ngriti në qiellin e “Uemblit” trofeun e kampionëve të Europës. Në të ardhmen e tij, siç ka lënë të kuptohet edhe vetë, ka një tavolinë dhe ata në selinë e Juventusit duken të gatshëm ta mirëpresin.
Tifozët bardhezinj do të bënin gjithçka për ta pasur në drejtimin e klubit dhe do ta prisnin me krahë hapur një legjendë të klubit si ai.