Pas 30 vitesh zhdukje, rishfaqet specia misterioze në Afrikën e Jugut

Pas 30 vitesh zhdukje, rishfaqet specia misterioze në Afrikën e Jugut

Një geko e rrallë, që nuk ishte parë që nga viti 1991 dhe konsiderohej e zhdukur, është rizbuluar në një nga zonat më të paarritshme të Afrikës së Jugut. Studiuesit Darren Pietersen dhe John Davies, të Fondit të Jetës së Egër në Rrezik, u lanë me helikopter në kanionin e thellë Blyde Rondavel në Provincën Mpumalanga, aty ku gekoja u identifikua për herë të parë.

Pas më shumë se tre dekadash misteri dhe spekulimesh nëse hardhuca e vogël ekzistonte vërtet, ata arritën të gjenin deri në 30 ekzemplarë të gekos së sheshtë, duke fotografuar shtatë prej tyre.

Specia, e quajtur Blyde River Flat Gecko, konsiderohej një “specie e humbur” për shkak se nuk ishte regjistruar për mbi 10 vjet. Zbulimi i saj i fundit vjen pas përpjekjesh kërkimore që zgjatën dy vjet, duke përfshirë disa aplikime për leje dhe një ekspeditë të rrezikshme tre-ditore në shkëmbinj të pjerrët mbi 100 metra të lartë.

“Më bezdis fakti që kam një specie që ka mungesë të dhënash,” tha Pietersen, i cili është i përkushtuar ndaj specieve pak të studiuara. Rizbulimi i gekos shënon kafshën e pestë që Fondi i Jetës së Egër në Rrezik ka rizbuluar në vitet e fundit, duke përfshirë edhe një urith të pazbuluar prej më shumë se 80 vjetësh.

Zbulimi jo vetëm që hedh dritë mbi ekzistencën e një specieje të rrallë, por nënvizon edhe sa shumë mbetet ende për t’u mësuar mbi biodiversitetin e planetit tonë. Studiuesit tani do të përdorin mostrat e indeve të mbledhura për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për një specie të veçantë.

Image

LEXO EDHE:

Back to top button