Pas 77 ditësh rikthehet si titullar duke shënuar gol dhe duke asistuar në fitoren e Sitit

Man. Siti fitoi 3-0 ndaj Notingam Forestit në takimin e vlefshëm për javën e 14-të të Premier Ligës. Një fitore që për “Qytetarët” mungonte prej më shumë se një muaji, ndaj të gjithë janë më të qetë. Vendimtar në këtë ndeshje për skuadrën e trajnerit Pep Guardiola ishte mesfushori belg Kevin De Brujne, që rikthehej titullar në fushë pas 77 ditësh. Ai ishte edhe kapiten i skuadrës, duke luajtur për 75 minuta dhe realizoi një gol e një asist.
“Jam i lumtur për fitoren e skuadrës, e cila mungonte prej kohësh. Nuk ishim mësuar me një situatë të tillë, ndaj jam i kënaqur që gjërat ndryshuan. Unë u përpoqa të jap ndihmesën time në këtë sukses”, tha De Brujne.
“E dimë që nuk do të jetë e lehtë, pasi tani duhet vijueshmëri. Për sa më përket mua, shpresoj të mos kem më probleme fizike dhe të luaj e ndihmon ekipin. Kur fiton pas një kohe të gjatë dhe shënon ndihesh dyfish i gëzuar”, tha belgu.