Pas festave do të mbahet takimi i parë i grupit të punës për ndryshimet kushtetuese

Pas festave do të mbahet takimi i parë i grupit të punës për ndryshimet kushtetuese

Gazetar: Lluka Andreev

Asnjë parti parlamentare opozitare nuk ka propozuar anëtar në grupin e punës të Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet kushtetuese. Ministria sot e ka shpallur listën e anëtarëve.
Përfaqësuese e LSDM-së do të jetë, Cvetanka Ivanova, nga BDI-ja Arbër Ademi, Remzi Mehmedi nga Aleanca për Shqiptarët, si dhe shtatë përfaqësues të tjerë të partive nga koalicioni qeverisës. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha se tema e grupit të punës për të është e mbyllur. Ai më parë bëri thirrje për një duel ose një takim liderësh për të diskutuar propozimin e partisë për ndryshimin e Kushtetutës sipas modelit kroat, i cili nuk u pranua nga pushteti. Edhe pse pritej, mbrëmë deri në mesnatë Besa nuk delegoi përfaqësuesin e saj. Grupi i punës nuk do të ketë anëtarë as nga Alternativa dhe E Majta.

Ministria e Drejtësisë thotë se paralelisht me punën e grupit të sapoformuar do të ketë edhe diskutime publike ku të gjithë do të mund të shprehin qëndrimin e tyre për ndryshimet kushtetuese.

“Ky trup pune është formuar nga Ministria e Drejtësisë dhe është ngarkuar nga Qeveria të përgatisë propozim-nismën për nevojën e ndryshimeve kushtetuese. Propozues i ndryshimeve kushtetuese është Qeveria. Pas përgatitjes së ndryshimeve, propozimi do të kalojë në të gjitha trupat punuese brenda Kuvendit”, njoftojnë nga ministria e Drejtësisë.
.
Ministria deri në fund të javës do t’i shpallë ekspertët e ftuar, ndër të cilët është edhe ish-gjykatësja në Strasburg, Margarita Caca Nikollovska. Ajo thotë se ky grup pune nuk e zëvendëson komisionin kushtetues në Kuvend, ku më pas do të gjenden ndryshimet e propozuara.

“Grupi i punës paraqet një vizion. Si do të jetë aktiviteti politik në të ardhmen është çështje krejtësisht tjetër. Kuvendi është ai që do duhet t’i votojë dhe prandaj habitem përse tani duhet të diskutohet nëse ka konsensus apo jo. Dihet që nuk ka konsensus, por qytetarët duhet të kenë më shumë informacion ndër të tjera edhe për atë pse nuk ka konsensus”, u shpreh Margarita Caca Nikollovska – ish gjykatëse në Strasburg.

Grupi i punës pritet të mbajë mbledhjen e parë pas festave. Në të do të jenë edhe Aleksandar Spasov si përfaqësues i Presidentit, Dragan Tilev përfaqësues i Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe Shpend Sadiki nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Anëtar të propozuar nga partitë parlamentare

Cvetanka Ivanova-LSDM
Arbër Ademi-BDI
Ramzi Mehmedi- Aleanca për Shqiptarët
Sonja Mirakovska-PRSD
Nano Ruzhin-PLD
Hrista Najdanov-PRD
Temellko Risteski-Partia e Pensionistëve
Rametula Kuqi-PDSH
Eran Kurtish-Partia e Lëvizjes Turke
Bejxhan Iljas-Partia Demokratike Turke

LEXO EDHE:

Back to top button