Pas gjashtë viteve doli nga burgu ish ministri i Gruevskit, Mile Janakievski

Pas gjashtë viteve doli nga burgu ish ministri i Gruevskit, Mile Janakievski

Gazetar: Adrian Kerimi

Ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, Mile Janakievski sot doli nga burgu. Ai qëndroi nën masa efektive për gjashtë vite si i akuzuar dhe i shpallur fajtor për tre raste, dy të ish Prokurorisë Speciale “Shkallët Spanjolle” dhe “Titanik” për manipulimet zgjedhore, si dhe në cilësinë e të akuzuarit për organizimin e 27 prillit, dhunës së përgjakshme në Kuvend në vitin 2017.

Janakievski rrezikonte edhe tre vite e gjysmë burg për rastin “Toplik” në Qytetin e Diellit. Por nga vendimi gjyqësor shpëtoi falë rrëzimit të vendimit të parë në Gjykatën e Apelit. Shkalla e dytë kishte vendosur të kthente lëndën në rigjykim në kohën kur në Kuvend po hartohej Kodi i ri Penal, me çka pas hyrjes në fuqi të dispozitave të reja dhe masave lehtësuese për shpërdorimet me detyrën zyrtare, Janakievski shpëtoi nga burgu falë vjetërsimit të lëndës.

Në prill të vitit 2022 karta e tij penale rezultonte si i dënuar për 5 vepra me plotë 14 vite burg. “Dhuna në Komunën Qendrës” i dënuar me kusht. “Dizaj”, prokurimi i autobusëve kinez, “Organizator i 27 prillit”, “Titanik”, TNT” rasti me rrënimin e objektit Kozmos, “Talir”, “Trajektorja” me autostradat kineze akoma të papërfunduara si projekt dhe rasti me “Shkallët Spanjolle”.

Gjatë proceseve gjykuese Janakievski disa herë ka tentuar të manipulon me procedurat penale duke zvarritur seancat, duke kërkuar gjykimin në gjuhën shqipe dhe duke i anuluar ato për arsye shëndetësore.

Në vitin 2023 në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut, Janakievski fitoi ndaj shtetit duke i marrë dëmshpërblimin prej 3.900 euro për shkak të qëndrimin në paraburgim në kundërshtim me ligjin. Vendimi i Strasburgut i referohej Konventës Ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Arrestimi i tij i parë ishte bërë më 13 nëntor 2018. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button