Pas Hungarisë edhe Sllovakia bëhet vendi i dytë në BE që merr vaksinën Ruse Sputnik V

Sllovakia priti të hënën 200,000 dozat e para të vaksinës ruse kundër koronavirusit, Sputnik V. Ky është vendi i dytë i Bashkimit Evropian, pas Hungarisë, që siguron këtë vaksinë. Javën e kaluar, Sllovakia ka pasur normën më të lartë në botë të vdekjeve për kokë banori nga koronavirusi. “Është në rregull të blihet vaksina ruse, sepse COVID-19] nuk di asgjë për gjeopolitikën”, tha kryeministri sllovak, Igor Matoviç.

“Unë nuk e kam problem ta marr vaksinën Sputnik”, shtoi ai. Sllovakia ka blerë dy milionë vaksina Sputnik V dhe pret që gjysma e tyre t’i arrijnë këtë muaj. Ministri sllovak i Shëndetësisë, Marek Krajçi, tha se vaksinimi me Sputnik V mund të fillojë brenda javësh. Në Çekinë fqinje, kryeministri Andrej Babis tha se edhe vendi i tij mund ta përdorë vaksinën Sputnik V për të luftuar pandeminë. Rusia ka miratuar vaksinën e saj në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë në botë me vaksinë kundër koronavirusit.

Kjo ka bërë që shkencëtarët në gjithë botën të vënë në dyshim sigurinë dhe efikasitetin e saj, pasi ajo është regjistruar përpara se studimet e fazës së tretë të testimit të bëheshin të disponueshme. Por, në fillim të shkurtit, rezultatet e testimeve të publikuara në revistën globale mjekësore Lancet, kanë treguar se Sputnik V – vaksinë që jepet në dy doza – është 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit. Kjo përqindje është e ngjashme me atë të vaksinave të zhvilluara në Perëndim. Vaksina ruse është miratuar për përdorim në rreth 30 vende.

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button