Pas Klopit, konfirmohen edhe dy “lamtumirat” e para nga Liverpulli

Situata te skuadra e Liverpullit duket disi kaotike, sidomos pas lajmit të largimit të trajnerit Jurgen Klop në fund të këtij sezoni. Gjermani duket se nuk do të jetë i vetmi që do t’i mungojë “Anfield” sezonin tjetër. Mediat britanike konfirmojnë se edhe Xhoel Matip e Tiago Alkantara do të mbyllin aventurën e tyre me Liverpool. Të dy futbollistëve veteran u përfundon kontrata me “reds” këtë verë, ndaj do të largohen pa e rinovuar atë.
Matip, 32-vjeç, luan preh 8 vitesh në “Anfield”, që kur erdhi nga Schalke 04. Në këto vite ai fitoi gjithçka me Liverpullin dhe ai ishte një nga blerjet e para për Klopin.
“Në të gjitha vitet që jam marrë me futboll, nuk jam i sigurt se kam hasur në shumë lojtarë që janë më të dashur se Xhoel Matip. As nuk jam i sigurt se do të ishte e mundur të them ndonjë gjë të keqe për të”, u shpreh Klopp për mbrojtësin.
Mesfushori spanjoll Tiago Alkantara, 33 vjeç, gjatë aventurës së tij me Liverpullin ka qenë më shumë i dëmtuar. Ai ka bërë vetëm 98 paraqitje në katër sezone, duke shprehur shumë pak vlerat e tij me fanellën e “The Reds”.