Pas më shumë se një dekadë, aktgjykim për “Magjar Telekom”

Pas më shumë se një dekadë, aktgjykim për “Magjar Telekom”

Gazetar: Ardit Ramadani

Pas më shumë se 10 vitesh Gjykata Penale ka publikuar aktgjykim e shkallës së parë për lëndën “Magjar Telekom” kundër tre të akuzuarve të huaj, ish-drejtorë të Telekomit të Maqedonisë, Atilla Sendrej, Rolf Plat dhe Zoltan Kishjuhas. Dënimin prej nga 8 vite burg dhe kompensim të dëmit prej 1 milion eurove Maqedonisë së Veriut, ata e kanë mësuar përmes mediave pasi nuk u shfaqën në gjykatë dhe vazhdojnë të jenë të pakapshëm për organet vendase të përndjekjes.

“Në pajtueshmëri me aktgjykimin, të akuzuarit janë të shpallur fajtorë për veprën penale “Punë të papërgjegjshme në shërbim” sipas nenit 353, paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 3, në lidhje me paragrafin 1 nga Kodi Penal dhe dënohen me nga 8 vjet burg secili i akuzuar”, thonë nga Gjykata Penale.

Sipas aktgjykimit, këta persona kanë dëmtuar buxhetin e shtetit duke lidhur kontrata fiktive për shërbime konsulente me një kompani nga Qipro. “Magjar Telekom” me vite ka qëndruar në sirtarët e gjykatave të vendit. Ky rast mori kahe tjetër pas dëshmisë së ish-drejtorit të DSK-së, Sllobodan Bogoeski para gjykatës së Qarkut ne Nju Jork se ish-drejtorët e “Magjar Telekom” kanë dhënë 7,5 milion euro për tre politikanë të vendit që të mos lejojnë liberalizimin e tregut të telekomunikimit, edhe atë ish-kryeministrit Vlado Buçkovski, Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit. Pas kësaj dëshmie, Ahmeti dhe Xhaferi paditën Bogoeskin për “shpifje” por Apeli vendosi në favor të Bogoeskit.

Kjo lëndë shpesh herë është konsideruar si “e paprekshme” për sistemin e drejtësisë në vend. Këtë e dëshmon fakti që ende po punohet për një lëndë në të cilën hetimi ka filluar në vitin 2008 ndërsa në vitin 2011 është ngrit aktakuza kurse edhe pse në vitin 2016 filloi të gjykohet, po atë vit nuk arriti të mbahet asnjë seancë gjyqësore. Nga kur ka filluar gjykimi në mungesë kundër Sendrej dhe të akuzuarve të tjerë, më shumë se gjysma e seancave gjyqësore janë anuluar, janë ndërruar 3 gjykatës dhe 3 prokurorë. Ky është aktgjykimi i parë për këtë rast dhe me këtë, edhe pse do jetë e vështirë të dëshmohet një vepër e kryer 15 vite më herët, hapet rruga që në aktgjykimin e plotfuqishëm të shihet në qoftë se përmenden edhe emrat e politikanëve vendas si të përfshirë. Sipas aktakuzës, hungarezi Atila Sendrei, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të “Telekomit të Maqedonisë”, gjermani Rollf Pllat, greku Mihaill Kefallijanis dhe hungarezi Zolltan Kishjakus, dyshohen se kanë nënshkruar marrëveshje fiktive për shërbime konsultative me “Çapteks Holldings Limited”, dhe në atë mënyrë e kanë dëmtuar “Telekomin e Maqedonisë” me rreth 4 milionë euro, kurse buxhetin shtetëror të Maqedonisë së Veriut me 2 milionë euro, sepse në atë kohë, Qeveria ka menaxhuar me 47 përqindëshin e aksioneve të ndërmarrjes “Telekomi i Maqedonisë”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button