Pas shtrenjtimit të produkteve bazë ushqimore, Qeveria vendos “ngrirjen” e tyre

Evi Shkopi
Në mbledhjen e sotme Qeveria ka vendosur për ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Çmimet e produkteve do të mbesin aq sa kanë qenë më datë 1 dhjetor të këtij viti, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë. Ky vendim do të zbatohet deri më 31 janar 2022, me mundësi vazhdimi nëse situata e tregut e kërkon diçka të tillë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut
“Ky vendim përcakton çmimet më të larta në tregtinë me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore bazë, përkatësisht: bukës; sheqer; miell – lloji 400; vaj ushqimor luledielli; qumësht i përhershëm me përmbajtje yndyre prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%; mish i freskët dhe produktet nga përpunimi i mishit; dhe djathë dhe gjizë”
Ndërkohë ekspertët e vlerësuan si të vonuar këtë vendim të Qeverisë, pasi sipas tyre ngrirja e çmimeve duhej të ndodhte para se të shtrenjtohen çmimet e produkteve. Nga Inspektorati i Tregut, informuan se do të përforcojnë kontrollet. Rritja e madhe e çmimeve të ushqimeve filloi me shtrenjtimin e vajit ushqimor. Para dy muajsh një litër vaj kushtonte 50 denarë, ndërsa tani kalon mbi 100 denarë. Rritje të çmimeve ka thuajse te të gjitha produktet ushqimore. Për 15 denarë më shtrenjtë shitet një kilogram miell, ndërsa për më shumë se 10 denarë është shtrenjtuar edhe qumështi. Disa herë gjatë dy muajve të fundit, pikërisht ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaronte se Qeveria e ndjek situatën me inflacionin dhe nuk sheh arsye të intervenojë për të penguar rritjen e çmimeve. Në ndërkohë disa nga shtetet e rajonit i ngrinë çmimet e ushqimeve dhe prodhimeve për higjienë personale, ndërsa në Kroaci u ngrinë edhe çmimet e karburanteve.