Pas tetë vitesh filluan të qarkullojnë autobusët në Tetovë

Pas tetë vitesh zvarritje, më në fund filloi transporti publik në Tetovë. Në 10 ditët e para, aq sa zgjat periudha testuese do të funksionojë vetëm një linjë, ndërsa banorët do të mund të shfrytëzojnë këtë linjë pa pagesë. Megjithatë që në ditën e parë, shoferët e autobusëve u përballën me vështirësi, shkaku i komunikacionit të ngarkuar, e sidomos parkimeve vend e pa vend.

“Edhe përkundër deklarimeve se në marrëveshje me policinë, janë munduar që të pastrojnë rrugën e Ilindenit dhe Bulevardin Iliria nga parkimet vend e pa vend, megjithatë, siç e shihni, ende rezultojnë stacione të bllokuara nga parkimet, ndërsa parkimet e dyfishta në rrugën e Ilindenit në të dy krahët nuk mungojnë”.

“Asnjë rregull nuk respektohet. Qoftë praktikë qoftë teori çka të flasësh e kotë është. Rruga është e zënë më keq se para një muaj, veç gazep i shoferëve të autobusëve, stacionet janë të mbushura me vetura private”, u shpreh një vozitës i autobusit.

Bileta për udhëtim nëpër qytet do të kushtojë 20 denarë në të pesë autobusët të cilët do t’i drejtojnë 12 shoferë. Por, mbetet ende e paqartë se ku do stacionohen autobusët dhe ku do të bëhet mirëmbajtja e tyre.

Ndërmarrja tani numëron pesë autobusë dhe 12 shoferë dhe administratën e saj. Përse tani lëshohen në përdorim? Është shkaku se tani përfunduan procedurat për nisjen me punë të ndërmarrjes dhe shkaku i komunikacionit i cili në këtë kohë është më i lehtë për të lëvizur. Nuk ka të bëj me pikët politike por tani është momenti që duhet të bëhet, andaj dhe janë gjithë këshilltarët këtu dhe është punë që komuna e Tetovës e bën në kuadër të planifikimeve të saj – tha Bekim Memeti kryetar i Këshillit Komunal.

Kanë reaguar edhe nga shoqëria civile.

Qytetarët mendoj se duhet ta përdorin sa më shumë që munden transportin publik sepse normal ul tollovinë në trafik, çdo veturë plus në trafik është shtesë për trafikun. Po ashtu mënyra se si parkohen, parkimi paralel dhe ai nëpër stacione ku duhet të ndalen autobusët është i ndaluar dhe këtë duhet ta respektojnë. Sigurisht që policia duhet të jetë gjithnjë në krye të detyrës sepse Tetova është ndër qytetet e pakta që ka një kaos të këtillë trafiku por kjo është rezultat i mungesës së parkingjeve që duhej të ndërtohen e nuk u ndërtuan kurrë. Po normal edhe qytetarëve duhet t`iu ofrohet zgjidhje por edhe policia të bëj punën e saj për tu sanksionuar shoferët që parkohen keq – u shpreh Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.

Biletat për udhëtim do të shiten nëpër dyqane apo kioska.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button