Pavarësisht kallëzimit penal, deputeti Cvetkov vijon detyrën

Deputeti i LSDM-së, Borçe Cvetkov, vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si deputet edhe pse Sektori për Punë të Brendshme në Strumicë kundër tij ka ngritur kallëzim penal. Nga Kuvendi njoftojnë se deri tani nuk kanë pranuar kërkesë për heqjen e imunitetit për Cvetkovin. Kjo për arsye se edhe Prokuroria nuk ka kërkuar një gjë të tillë. Nga Prokuroria njoftojnë se edhe më tej po punojnë për zbardhjen e rastit dhe vërtetimin e veprës penale, ndërsa sa i përket imunitetit, e njëjta nuk është domosdo të merret.
“Prokuroria Publike Strumicë vepron pas kallëzimit të dorëzuar dhe ndërmer masa. Procedura vazhdon dhe nuk është e domosdoshme marrja e imunitetit të personit të denoncuar”, thonë nga Prokuroria Publike.
Borçe Cvetkov dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë periudhës 2021-2023, derisa ka ushtruar detyrën drejtor i burgut në Strumicë. Sipas policisë, Cvetkov ka urdhëruar gardianët në kundërshtim me ligjin që t’i lëshojë nga burgu tre të dënuar, ndërsa nga ana tjetër, në librin e evidencave ata kanë figuruar si të pranishëm në qeli.
“Gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023 gardianët e burgut i ka urdhëruar dhe i është kërcënuar, jashtë procedurave ligjore që t’i lirojnë nga burgu të dënuarit L.K, GJ.V dhe G.T. Të dënuarit kanë shfrytëzuar favore të cilat nuk u kanë takuar dhe në burg nuk janë paraqitur madje nga një muaj, ndërsa në librin e evidencave, me urdhër të personit të kallëzuar kanë figuruar prezent në burg. Emrat e të burgosurve të tjerë i ka fshirë me korrektor dhe ka shkruar emrat e tre personave të lartpërmendur, ndërsa njëri prej tyre (L.K) gjatë kohës sa ka figuruar në burg, ka qenë edhe jashtë vendit”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nëse Prokuroria Publike vendosë që të kërkojë heqjen e imunitetit, procedura duhet të udhëhiqet përmes Komisionit për Çështje të Rregullores, mandatave dhe imunitetit, kryetar i së cilës është deputeti Mile Lefkov nga radhët e VMRO-DPMNE-së./Alsat.mk