Pavarësisht pandemisë, bota me kapacitet rekord të energjisë së pastër në vitin 2020

Kapacitetet e energjisë së rinovueshme vitin e kaluar tejkaluan rekordin e mëparshëm me pothuajse 50 për qind, me më shumë se 260 gigavatë (GW), pavarësisht nga pandemia COVID-19, sipas një raporti të publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme (IRENA).

Statistikat vjetore të kapacitetit të energjisë së rinovueshme të IRENA 2021 tregojnë se pjesa e energjisë së rinovueshme në gjithë kapacitetin e ri gjenerues u rrit ndjeshëm për të dytin vit radhazi.

Më shumë se 80 për qind e gjithë kapacitetit të ri të energjisë elektrike shtesë vitin e kaluar ishte e rinovueshme, ku energjia diellore dhe ajo e erës përbënin 91 për qind të energjisë së re të rinovueshme.

Sipas raportit, deri në fund të vitit 2020, kapaciteti global i energjisë së pastër arriti në 2.799 GW, ku energjia hidrike ende përbën pjesën më të madhe me 1.211 GW, megjithëse energjia diellore dhe ajo e erës po ngrihen shpejt.

“Dy burimet e ndryshueshme të energjisë së rinovueshme dominuan në zgjerimin e kapacitetit në vitin 2020 me 127 GW, përkatësisht 111 GW të instalimeve të reja të energjisë diellore dhe të erës”, thuhet në raport.

Duke komentuar mbi raportin, Drejtori i Përgjithshëm i IRENA-s Francesco La Camera, tha se numrat tregojnë një histori të jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë dhe shpresës.

Ai gjithashtu shtoi se përkundër sfidave dhe pasigurisë së vitit 2020, energjia e rinovueshme doli si një burim i optimizmit të pamohueshëm për një të ardhme më të mirë, më të barabartë, elastike, të pastër dhe të drejtë.

LEXO EDHE:

Back to top button