Pavarësisht tragjedisë së Koçanit dhe incidenteve tjera të armatosura, Siljanovskas nuk bindet që të thërrasë Këshillin e Sigurisë

Pavarësisht tragjedisë së Koçanit dhe incidenteve tjera të armatosura, Siljanovskas nuk bindet që të thërrasë Këshillin e Sigurisë

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, nuk e sheh të nevojshme të thërrasë Këshillin e Sigurisë për të diskutuar gjendjen e sigurisë në vend, edhe pse nga viti i kaluar e këtej, në vend ka pasur tragjedi e incidente, ndërsa kulmi ishte me Koçanin ku humbën jetën 62 persona. Arsyeja pse nuk e mbledhë Këshillin e Sigurisë, siç thotë Siljanovska, është që mos t’u bëhet presion organeve të përndjekjes.

“Do të kishte nevojë për ta mbledhur nëse duhet ne në këshillin e sigurisë të bëjmë presion mbi organet kompetente që të menaxhojnë me problemet. Problemet ekzistojnë unë pajtohem me ju. Megjithatë mendoj se, duke filluar nga MPB e duke përfunduar me Prokurorinë Publike, ne jemi dëshmitarë të procesuimit dhe zgjidhjes së problemeve, flas për dimenzionin e brendshëm”, tha
Gordana Siljanovska Davkova – presidente.

Ndonëse edhe vet presidentja ishte ndër ata që kritikonin punën e Prokurorisë para rastit të Koçanit, tani Siljanovska thotë se prokurori nuk duhet të shkarkohet por duhet lënë Prokurorinë që të kryejë detyrat e saja.

“Por mendoj se për momentin, më e rëndësishme është që gjithë secili të kryejë funksionin dhe kompetencat e tij, që të mundemi të menaxhojmë me problemin që na prekë të gjithëve. Tragjedia në Koçan na prekë të gjithëve. Madje edhe në procesuimin e përgjegjësve, duhet shumë të kemi kujdes”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova – presidente.

Vetëm në periudhën e fundit, në Maqedoni ndodhën një sërë incidentesh. Më 25 prill u vra një 31 vjeçar në Duqanxhik, më 27 prill një 16 vjeçar humbi jetën pas një aksidenti me motoçikletë. Nuk kanë munguar edhe arrestimet e rastësishme ku qytetarë dhe shoferë janë gjetur me drogë dhe armë pas kontrolleve të policisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button