Pendarovski: Nuk mund të ndihmoj, nuk ka konsensus për rrugën drejt BE-së

Pendarovski: Nuk mund të ndihmoj, nuk ka konsensus për rrugën drejt BE-së

Gazetar: Lluka Andreev

Nuk ka konsensus kombëtar për vazhdimin e rrugës drejt anëtarësimit në BE, sipas presidentit Stevo Pendarovski. Sipas tij, obligimi ynë kryesor në këtë moment janë ndryshimet kushtetuese dhe këtu duhet të tregohet se kush e mbështet realisht integrimin evropian. Ai shton se përfshirja e bullgarëve dhe e komuniteteve të tjera në Kushtetutë nuk cenon aspak shtetësinë.

“Pozicionet e partive kryesore opozitare janë aq të rrënjosura në atë retorikë partiake, nga e cila me siguri presin sukses në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk heqin dorë nga ajo, saqë realisht nuk shoh asnjë hapësirë, asnjë hapësirë për manovrim, se mund të ndihmoj këtu. Qëndrimet janë të tilla… ju keni deklarata të vërtetuara te noteri, që as në ëndërr nuk do të firmos ndryshime Kushtetuese”, tha Stevo Pendarovski, President.

Më herët autoritetet paralajmëruan intensifikimin e konsultimeve për ndryshimet kushtetuese nga kjo javë, por për momentin nuk janë caktuar takime zyrtare të liderëve. Ambasadori evropian David Gir, nga ana tjetër, bëri thirrje për konsensus, duke shtuar se ndryshimet kushtetuese janë ende një vendim sovran i vendit. Gir tha gjithashtu se korniza e negociatave dihet dhe është e pamundur të ndryshohet, duke hedhur poshtë në mënyrë indirekte idenë e opozitës se propozimi francez mund të rinegociohet në të ardhmen.

“Thjesht nuk është realiste të besohet se ky hap mund të anashkalohet, dhe disi në mënyrë magjike procesi i anëtarësimit do të vazhdojë. As nuk besoj se është realiste të mbani ndonjë shpresë për rinegocimin e marrëveshjeve të fituara me vështirësi”, u shpreh David Gir- Ambasador Evropian.

Mendimet u shprehën në debatin e Këshillit të Ambasadorëve, kushtuar mundësisë së anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian në vitin 2030. Të pranishmit konstatuan se që kjo të ndodhë, është e nevojshme të forcohet procesi i reformave, por edhe që Brukseli të mos humbasë fokusin e tij në rajon. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button