Pendarovski pret në takim Qeverinë e re

Presidenti Stevo Pendarovski sot do të presë kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe anëtarët e Qeverisë.
Kryeministri i sapozgjedhur, Dimitar Kovacevski, mëngjesin e sotëm ka marrë funksionin dhe kabinetin e kryeministrit aktual Zoran Zaev.
Në Qeveri është bërë dorëzimi i postit të kryeministrit.
Qeveria e re e udhëhequr nga Kovaçevski është zgjedhur mbrëmë në Kuvend me 62 vota “pro”, 46 “kundër” dhe pa abstenim.
Kovaçevski në fjalimin para deputetëve tha se fokusi i programit të qeverisë është te qytetarët, ekonomia dhe ballafaqimi me pasojat e pandemisë dhe krizës energjetike. Ai theksoi se nuk duhen zgjedhje të reja, duke paralajmëruar rritje të pensioneve dhe rritje të pagave minimale dhe mesatare, si dhe reforma në arsim. Duke folur për kontestin me Bullgarinë, Kovaçevski tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen pa rrezikuar identitetin e popullit.
Dy ditë ka zgjatur debati në Kuvend për zgjedhjen e qeverisë së re.
Qeveria e Kovaçevskit ka 21 anëtarë – nga LSDM 11, BDI gjashtë, Alternativa tre dhe një ministër nga LDP.
Kabineti i ri qeveritar ka një anëtar më shumë se ai i mëparshmi, ministër pa portofol, post që pas formimit të mazhorancës së re parlamentare i përkiste Alternativës.