Për asnjë nga 56 nismat e Antikorrupsionit nuk ka pasur akuzë
Për asnjë nga 56 nismat e Antikorrupsionit nuk ka pasur akuzë

Gazetar: Lluka Andreev
“Me një lule nuk çel pranvera”, kështu e vlerësoi kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska veprimin e dobët të institucioneve ndaj rekomandimeve të tyre. Në fund të mandatit pesëvjeçar, Ivanovska tha se nga viti 2019 e deri më tani kanë dorëzuar 56 nisma për ndjekje penale të zyrtarëve dhe nëpunësve, por asnjëra nuk ka rezultuar me aktakuzë. Sipas anëtarit të Antikorupsionit, Nuri Bajrami, nëse do të ishte vepruar me kohë, ndoshta disa persona nuk do të kishin përfunduar në Listën e zezë amerikane.
“Mbi 200 nisma për ndjekje penale kanë dalë në këto njëzet vjet që kur ekziston institucioni. Asnjëra prej tyre nuk marrë epilog. Çfarë më tej? Pyetja duhet të parashtrohet në organet e gjyqësorit. Me një për qind besim në këtë sektor, është e qartë se çfarë do të ndodhë më pas. Duhen ndryshime rrënjësore”, deklaroi Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK -së.
“Mandatin e kemi nisur me disa nisma siç ishte Merko dhe Komuna e Strugës. Po mbarojmë mandatin, e kemi në listën e zezë dhe ende nuk ka epilog. Imagjinoni çfarë po na ndodh”, tha Nuri Bajrami – anëtar i KSHPK-së.
Sipas Bajramit, politika nuk ka vullnet për ndryshime, ndërsa Ivanovska vlerësoi se dëshira për reforma është më shumë deklarative sesa e sinqertë. Ajo gjithashtu tha se janë përballur edhe me presione.
“Nëse ju kujtohet, presionet ndaj institucionit ishin publike. Ishte njoftimi i kabinetit të Gërkovskës, i kabinetit të Artan Grubit, më pas Bojan Mariçiqit…atëherë ishte periudhë kur tre zëvendëskryeministra komentuan gjetjet tona. Më pas ka vijuar veprimi i Prokurorisë Publike, e cila ka thënë se është duke e ndërprerë bashkëpunimin edhe pse nuk ka bazë për ndërprerje të bashkëpunimit. Për të gjitha këto presione publike, ne kemi pasur gjithmonë përgjigje publike”, u shpreh Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK-së.
Sipas Ivanovskës, nuk mund të ketë revolucion nëse institucionet nuk duan të largohen nga zona e komfortit. Vitin e kaluar institucionet kanë zbatuar vetëm 14% të rekomandimeve të Komisionit Kundër Korrupsionit. Përbërja e re e këtij institucioni të udhëhequr nga revizorja Tatjana Dimitrovska do të fillojë punën nga muaji i ardhshëm. /Alsat.mk