Për herë të parë në histori, një ish-president i SHBA-ve paraqitet në gjykatë si i pandehur

Për herë të parë në histori, një ish-president i SHBA-ve paraqitet në gjykatë si i pandehur

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është deklaruar i pafajshëm lidhur me 34 akuza për vepra penale për falsifikim të regjistrave biznesorë, në një gjykatë në Manhatan të Nju Jorkut. Prokurori i rastit, Alvin Bragg, tha se Trump i ka falsifikuar vazhdimisht regjistrat biznesorë për të fshehur krimet e kryera si pjesë e “komplotit për të minuar integritetin e zgjedhjeve të 2016-ës”. Në aktakuzën e publikuar thuhet se Trump akuzohet për “falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork për të fshehur informacione të dëmshme dhe aktivitete të paligjshme nga votuesit amerikanë para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2016”.

“Trump më pas bëri përpjekje të mëdha për ta fshehur këtë sjellje, duke shkaktuar dhjetëra regjistra të rreme në të dhënat e biznesit për të fshehur aktivitetin kriminal, përfshirë këtu përpjekjet për t’i shkelur ligjet e zgjedhjeve shtetërore dhe federale”, thuhet më tutje. Në aktakuzë thuhet se ishin bërë pagesa prej 30 mijë dhe 150 mijë dollarësh ndaj një ish-roje të Kullës Trump, i cili pretendonte se kishte një histori për një fëmijë që Trump e kishte jashtë martese, dhe për një grua që pretendonte se kishte një marrëdhënie seksuale me Trump. Së bashku, këto akuza mbartin një dënim maksimal prej 136 vjet burgim, sipas ligjit të Nju Jorkut.

“Kurrë nuk kam menduar se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë. I vetmi krim që kam bërë është mbrojtja e fuqishme e kombit tonë nga ata që kërkojnë ta shkatërrojnë atë. Që nga fillimi demokratët spiunuan fushatën time. Ky rast i rremë u ngrit vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024 dhe duhet të mbyllet menjëherë”, tha Donald Tramp, ish president i SHBA-së.

Seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti. Akuzat u ngritën pas një hetimi lidhur me një pagesë që ai dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje për ta blerë heshtjen e saj, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për një aferë të supozuar. Pagesa besohet se është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë përbën shkelje në Nju Jork. Për herë të parë në histori, një ish-president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përballet me akuza penale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button