Për shkak të papastërtisë shumë pak nxënës ndoqën sot procesin mësimor në shkollën “Panajot Ginovski” në Butel
Për shkak të papastërtisë shumë pak nxënës ndoqën sot procesin mësimor në shkollën “Panajot Ginovski” në Butel

Gazetare: Melihate Rustemi
Në shkollën fillore “Panajot Ginovski” të Komunës së Butelit edhe sot u bojkotua mësimi nga pjesa më e madhe e nxënësve, me vendim të prindërve të tyre. Sipas burimeve të Alsat, sot në shkollë kishte vetëm nga dy ose tre nxënës në klasa dhe mësimi përfundoi më herët. Ajo që detyroi prindërit për bojkot është mungesa e higjienës dhe kushteve për mësim si dhe paraqitja e minjve jashtë dhe brenda objektit të shkollës duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve. Nga Komuna e Butelit thanë se bojkoti është I nxitur politikisht, ndërsa ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se po e ndjekim situatën dhe do të marrim masat e duhura.
“Unë propozoj një masë shumë të thjeshtë që quhet deratizim dhe më pas një veprim ekologjik në shkollë. Tashmë kemi marrë informacione, para së gjithash nga mediat, jemi duke e monitoruar situatën dhe po ndërmarrim hapat e duhur më tutje. Është i nevojshëm bashkëpunimi me të gjitha institucionet me të cilat është e lidhur shkolla. Për organizimin e mësimit, si dhe për të gjitha aktivitetet tjera shkollore janë caktuar drejtorët”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Disa nga nxënësit që anketuam për Alsat një ditë më parë treguan në detaje për kushtet e tmerrshme në shkollë ndërkohë që kamerat e mediave nuk u lejuan të filmojnë brenda shkollës.
Inspektorati shëndetësor sanitar pas ankesave të prindërve kishin konstatuar gjendje jo të kënaqshme higjienike
“Në klasa janë vërejtur dysheme të papastra, mure të dëmtuara, kosha të mbushura plehrash, kanaçe dhe thasë me ushqime. Në ambientet sanitare, veçanërisht në katin e parë, vërehen dysheme të lagura, mure dhe dyer të dëmtuara tualeti, xhama të thyer, gypa të dëmtuara nga të cilat rrjedh vazhdimisht uji, rrjeta merimangash në tavan dhe lavamanë të dëmtuar”, thonë nga Inspektorati Shëndetësor Sanitar.
Dysheme të papastra, mure të dëmtuara
Në katin e parë, dysheme të lagura, gypa të dëmtuara
Inspektorati kishte dhënë vendim për përmirësimin e gjendjes higjienike në shkollë në të kundërtën do të ketë gjobë për personin përgjegjës që në këtë rast është drejtori I shkollës./Alsat.mk