Për tre muaj, policia e Shqipërisë ka sekuestruar rreth 1 milion euro

Bashkë me turistët vera sjell në Shqipëri paratë e dyshimta. Në makina, valixhe apo xhepa, shqiptarë e të huaj fusin në vend miliona euro të padeklaruara.
2 ditë më parë, një 31-vjeçari nga Tirana iu sekuestruan në Murriqan 50 mijë euro të fshehura në një valixhe.
Ligji kërkon deklarimin e çdo sasie parash mbi 1 milionë lekë.
Policia i tha Euronews Albania se nga qershori deri tani janë kapur nga policia kufitare të paktën 11 persona, 7 shqiptarë dhe 4 të huaj me para të padeklaruara.
Rreth 1 milionë euro janë sekuestruar në total gjatë kësaj periudhe. Paraja e kapur është vetëm një përqindje e vogël e asaj që futet vërtet në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, pasi jo çdo automjet apo person kontrollohet në vijën e dytë duke u përfshirë në analizën e rriskut që ndërmerr Policia Kufitare.
Tre vjet më parë u sekuestruan 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit të fshehura në një makinë “Toyota Yaris”.
Ky rast tregoi se futja në Shqipëri e parasë së siguruar nga krimi është prioritet për organizatat kriminale shqiptare që veprojnë jashtë Shqipërisë.