Perez kritikon PSZH-në për ofertën në vlerë prej 200 mln euro

Në një prononcim për mediat, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka sulmuar drejtuesit e PSZH -së, duke folur me tone të ashpra për faktin se refuzuan një ofertë prej 200 milionë euro për kartonin e sulmuesit të talentuar të cilit kontrata me PSZH-në, i skadon në verën e vitit të ardhshëm.
“Kontratat duhet ti respektojmë, por do të tentojmë të afrojmë futbollistët më të mirë në qarkullim. Për ta bërë këtë duhet të kemi edhe disponiblitetin ekonomik. Në këtë kohë edhe kur ofron 200 milionë euro nuk t’i shesin. Është më mirë t’i marësh kur shkojnë në skadencë kontrate, sepse në këtë moment ekziston çmenduria e klubeve që janë në pronësi të shteteve të ndryshme që nuk t’i shesin futbollistët”, theksoi Florentino Perez.
Ai pa përmendur emra duket se ka shigjetuar presidentin e PSZH-së, Naser Al-Khelaifi dhe shtetin e Katarit që ka në pronësi klubin francez përsa i përket mos arritjes së një akordi për kalimin e Kylian Mbappe te “Los Blancos” verën e kaluar.
Ndër të tjera Florentino Perez theksoi se beson ende te realizimi i projektit të Superligës Europiane me Realin e Madridit që është një nga klubet që nuk është tërhequr ende nga ky projekt.