Perezi ka tre emrat në listë, në epërsi trajneri italian

E përditshmja spanjolle “Marca”, i cili njihet si medium i afërt i Real Madridit, së bashku me disa media të tjera spanjolle, kanë raportuar se trajneri Zinedin Zidan ka informuar futbollistët se do të largohet nga klubi pas zhvillimit të ndeshjes me Viljarealin. Ai ka motivuar futbollistët që të japin maksimumin në dy ndeshjet e fundit dhe të shpresojnë në gabim tjetër të Atletikos, në garën për titullin kampion.
Sipas “Marca”, Zidan është lodhur mentalisht dhe fizikisht dhe konsideron se tani është momenti që të tërhiqet nga pankina e Real Madridit.
“Ndonjëherë duhet të qëndroni, por ka momente kur duhet të largoheni për të mirën e të gjithëve. Ju mendoni se do të largohem, pasi që gjërat janë komplikuar, por kjo nuk është e vërtetë. Vazhdimisht e bëj atë që është më e mira në momente të caktuara. Ndonjëherë vjen momenti kur klubi ka nevojë për ndryshime, por unë jam këtu që të punojë për të mirën e klubit, e jo për vetveten,” ka deklaruar Zidan në pres konferencën e fundit.
Në kohë të njëjtë , “Marca” raporton se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez , që tani ka 3 emra të trajnerëve: Joakim Loev, Masimiliano Alegri dhe Raul Gonzales.
Mirëpo tani për tani, në epërsi dhe si zëvëndës i Zidanit shihet italiani Alegri, që ka më shumë eksperiencë se sa legjenda e klubit, Raul Gonzales.