Përforcime, masa shtesë në Uashington në përgatitje për inaugurimin

Shërbimi Sekret dhe Garda Kombëtare po përgatiten të dërgojnë përforcime shtesë për inaugurimin e presidentit të ardhshëm Joe Biden. Ndërkaq, kryebashkiakja e Uashingtonit ka bërë thirrje që njerëzit të rrinë në shtëpi gjatë kësaj ceremonie.

- Advertisment -

Pas skenave të dhunshme të javës së kaluar në Kapitol kur ligjvënësit po numëronin votat elektorale të zgjedhjeve presidenciale për të certifikuar fitoren e zotit Biden, Shërbimi Sekret njoftoi të hënën se do të fillonte operacionet speciale të sigurisë që më 13 janar në vend të datës së parashikuar për 19 janar.

Garda Kombëtare konfirmoi të hënën se do të dërgojë deri në 15,000 trupa për të garantuar sigurinë gjatë ceremonisë së inaugurimit. Kjo shifër përfaqëson një rritje dramatike krahasuar me 8,000 trupa që u dërguan për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump katër vjet më parë.

Në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës, zoti Biden tha të hënën se nuk është i shqetësuar për Ditën e Inaugurimit.

“Nuk jam i shqetësuar që të bëj betimin jashtë (para Kapitolit),” tha ai duke shtuar se ata “që angazhohen në akte të dhunshme kundër shtetit dhe kërcënojnë jetë njerëzish” duhen mbajtur përgjegjës.

Ndërkaq, të hënën, kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser u bëri thirrje atyre që planifikojnë të vijnë në Uashington të qëndrojnë në qytetet e tyre dhe ta ndjekin ceremoninë me televizor, duke përmendur incidentet e javës së kaluar.

Në komentet për shyp të hënën, zonja Bowser tha se i kishte dërguar një letër Presidentit Trump ku i kërkonte të shpallte “përgatitje për gjendje emergjente” për Uashingtonin para ceremonisë së inaugurimit të presidentit të ri më 20 janar.

Të hënën në mbrëmje Presidenti Trump miratoi kërkesën e kryebashkiakes së Uashingtonit për të shpallur “përgatitjet për situatë emergjente” që autorizon mobilizimin e burimeve federale për të garantuar sigurinë në kryeqytet gjatë inaugurimit të presidentit të ri.

Zonja Bowser i ka shkruar edhe kreut të Departamentit të Sigurisë Kombëtare duke kërkuar që agjencia e tij të modifikojë reagimin e saj në disa mënyra për ceremoninë e inaugurimit.

Zonja Bowser ka kërkuar që periudha e masave speciale të sigurisë që zbatohet për ceremoninë e inaugurimit, të zgjatet nga 20 deri më 24 janar. Ajo ka kërkuar që Departamenti i Sigurisë Kombëtare të bashkërendojë dislokimin e një force sigurie që do të ketë për detyrë të mbrojë objektet federale.

Kryebashkiakja ka kërkuar që edhe Departamentet e Mbrojtjes dhe Drejtësisë të përfshihen në këto masa, përfshirë edhe Kongresin dhe Gjykatën e Lartë. Ajo tha se kjo bëhet për t’i dhënë mundësi policisë së Uashingtonit të përqëndrohet në mbrojtjen e rendit në qytetin e Uashingtonit.

Zonja Bowser po ashtu i ka kërkuar Departamentit të Pasurive Kombëtare që jep leje për aktivitete publike në parqet dhe sheshet e Uashingtonit, të mos japë leje për tubime deri pas datës 24 janar.

Zonja Bowser tha se një deklaratë e ngjashme në përgatitje për një situatë emergjente ishte nxjerrë në 2009, para inaugurimit të Presidentit Obama. Kreybashkiakja nënvizonte “kërcënime të reja për akte nga terroristë të brendshëm” në letrën e saj.

Autoritetet e administrimit të kryeqytetit Uashington nuk kanë kompetenca mbi territorin ku ndodhet Kapitoli dhe institucione të tjera federale.

LEXO EDHE:

Back to top button