Përgatitje për takimin Bajden-Putin

Uashingtoni dhe Moska janë duke bërë përgatitjet për një takim mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe atij rus, Vlladimir Putin që pritet të mbahet në muajin qershor. Përmes një deklarate të përbashkët, Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan dhe homologu i tij rus, Nikolay Patrushev, thanë se konsultimet që po zhvillohen në Gjenevë janë një hap i rëndësishëm në planifikimin e mbajtjes së takimit. “Diskutimet ishin konstruktive dhe, megjithë dallimet, mundësuan një mirëkuptim të pozicioneve të njëri-tjetrit”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Takimi pritet të mbahet në muajin qershor kur Biden ka planifikuar të zhvillojë vizitën e parë jashtë vendit si president i SHBA-së. Gjeneva është përmendur si vendi i mundshëm për samitin dypalësh. Presidenti amerikan gjatë vizitës në Evropë pritet të marrë pjesë në një takim të G7-ës, grupit të vendeve më të zhvilluara të botës, pastaj do të ketë bisedime me udhëheqësit e BE-së dhe zyrtarët e NATO-s në Bruksel.