Përjashtohet me të kuq, pasi urinoi pranë fushës para se të hynte në lojë

Ish-sulmuesi i Juventusit, Kristian Bunino, është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të urinimit pranë fushës paka para se të inkuadrohej si zëvendësues. 26-vjeçari i kaloi tre vite te Zonja e Vjetër (2015-2018) dhe konsiderohej si yll potencial, ndërkohë që është huazuar në skuadra të nivelit të dytë.

Aktualisht, ai luan në ligën e tretë italiane (Serie C) te skuadra e Leko-s, të cilës i është bashkuar në janar. Në ndeshjen e të dielës kundër Piacenzas, ai u ftua nga trajneri të inkuadrohej në minutën e 76-të, mirëpo në atë çast pati nevojë fiziologjike.

Futbollisti vendosi ta kursejë kohën duke urinuar menjëherë pranë fushës, por atë e pa njëri nga gjyqtarët anësorë dhe kjo rezultoi me ndëshkim me karton të kuq porsa shkeli në fushë. Ky vendim e ka nxitur reagimin e trajnerit Luçiano Foski, i cili ka thënë se Bunino nuk e ka ofenduar askënd dhe do të kishte qenë i mjaftueshëm kartoni i verdhë.

“Janë rregullat dhe ato duhet të zbatohen, por shpresoj se zyrtarët do ta përdorin arsyen e shëndoshë, sepse ai nuk ofendoi askënd, askush nuk e pa. Unë shpresoja për një karton të verdhë, por gjyqtari nuk gaboi. Sa i përket Buninos, sipas mendimit tim, ai as nuk e dinte se çfarë do të ndodhte”, ka thënë trajneri.

Skena të ngjashme janë parë edhe në të kaluarën në futboll. Portieri i Salford Sitit ishte përjashtuar në vitin 2017, pasi kishte urinuar në një ndeshje kundër Bradfordit. Në shtator një tjetër portier kishte bërë veprim të ngjashëm në një ndeshje të FA Kupës.

LEXO EDHE:

Back to top button