Përleshje masive në Burgun e Idrizovës, lëndohen disa persona

Përleshje masive në Burgun e Idrizovës, lëndohen disa persona

Gazetar: Suad Bajrami

Këto janë pamje të dhunës mes të burgosurve në Shtëpinë Korrektuese Ndëshkuese në Idrizovë, ku dhjetëra të burgosur u përfshinë në përleshje fizike. Si pasojë, janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve janë therur me thikë.

“Më 26.06.2020.2024 në ora 13:10 në SPB Shkup nga Burgu Idrizovë është paraqitur se rreth orës 10.30 në repartin ambulant është prishur rendi dhe qetësia me përleshje fizike mes shumë të burgosurve, gjatë së cilës është lënduar personi E.M. (26), derisa S.D. (43) dhe S.M. (29) kanë marrë lëndime nga mjet i mprehtë, pas çka janë transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” për ofrimin e ndihmës mjekësore. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Drejtori i Burgut, Zoran Jovanoski, për Alsat thotë se pamjet e këtilla janë përditshmëri dhe mënyrë e jetesës. Problemet e këtilla, sipas tij ndodhin për shkak të mbingarkesës së hapësirave, por edhe “luftës” për territor.

“Kapacitetet e stërmbushura e bëjnë të veten. Në vendin ku ka ndodhur problemi ka shqiptarë, maqedonas, romë, prej të gjitha komuniteteve. Aty duhet të akomodohen deri në 150 persona, por tani ka 250. Rrihen që të mos lëndohen pasi që më pas mund të ketë përgjegjësi penale dhe me këtë do t’u zgjatej koha e dënimit. Është luftë për territor. Është mënyrë jetese”, tha Zoran Jovanovski, drejtor i Burgut të Idrizovës.

I pyetur nëse personat e përfshirë në konflikt janë akomoduar në hapësira të veçanta për të parandaluar përshkallëzimin e mëtutjeshëm, drejtori thotë se megjithatë, këta persona vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin vend, pasi që s’kanë hapësira tjera. Rastet e dhunës mes të burgosurve janë të shpeshta, ndërkaq së fundmi, njëri prej të burgosurve e pësoi me fatalitet. Gjatë ditës së martë, Prokuroria njoftoi se është ngritur procedurë hetuese kundër një të burgosuri në Burgun e Idrizovës pasi që ka dhunuar deri në vdekje një të burgosur tjetër. Sipas drejtorit të Burgut, i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore, gjegjësisht ka qenë disfunksional apo në karrocë. Se Burgut të Idrizovës i mungojnë kushtet elementare, konfirmon edhe raporti vjetor i Avokatit të Popullit, në të cilin, përshkruhet gjendja katastrofike në lidhje me higjienën, por edhe stërmbushjen e hapësirave, të cilat para se gjithash, janë burim i shpërndarjes së sëmundjeve të ndryshme, por edhe rrethanë rënduese për mirëqenien e përgjithshme të të burgosurve. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button