Përplasje e kritrika mes pushtetit e opozitës, krejt çka ndodhi dje në Kuvend
Përplasje e kritrika mes pushtetit e opozitës, krejt çka ndodhi dje në Kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi
Qeveria e re u votua nga 62 deputetë të shumicës parlamentare, edhe pse shumica është e bindur se tani numëron gjithsej 64 deputetë. Mungoi deputetja e LSDM-së Lolita Ristova e cila është pozitive me virus korona dhe deputeti i BDI-së Izet Mexhiti, shkruan Alsat.
Mexhiti ishte i pranishëm në hapjen e seancës të shtunën, por nuk e ndoqi debatin. Ai për “Slloboden Peçat” nuk kishte treguar arsyet e mungesës së tij, por kishte konfirmuar se nuk do të votojë dhe se qëndrimet e tij tashmë janë të njohura.
Kabineti i Kovaçevskit u votua gjysmë ore para mesnatës, pas një debati dyditor gjatë të shtunës dhe të dielës. Përplasjet në plenare mes pushtetit dhe opozitës ishin të ashpra. Opozita vlerëson se ky kabinet nuk ka legjitimitet për shkak se nuk e ka fituar atë në zgjedhje. Ata kërkojnë zgjedhje të shpejta.
“Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së nuk është zgjidhje për problemet sepse edhe pas pesë vitesh shihet se vetë qeveria është gjenerator i problemeve të reja dhe krizave të reja për qytetarët; krizë ekonomike, shëndetësore, energjetikë, e ngrohjes, inflacion, krizë me zjarret”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
“Shikoni sa motra dhe vëllezër nuk janë më këtu. Mungojnë. A jeni të vetëdijshëm sa është numri i qytetarëve të cilët çdo ditë ikin nga vendi? Nëse dikujt duhet t’i drejtohet gishti për këtë, ky është ekzekutivi. Jetën e keni bërë aq të vështirë sa qytetarët e lënë vendin e tyre dhe ikin”, u shpreh lideri i ASH-së, Ziadin Sela.
LSDM-ja beson se zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të jenë të rregullta në vitin 2024.
“Meqë lidhen zgjedhjet lokale me zgjedhjen e Qeverisë, të gjithë atë që e flasin, mundet në mënyrë legjitime sipas kësaj logjike të pyes “pse qëndroni të ulur në këto karrige deputetësh?”. Le të vinë kryetarët e komunave, këshilltarët e komunave, le të miratojnë ligje dhe le ta zgjedhin qeverinë”, theksoi Jovan Mitrevksi nga LSDM.
Qeveria e re do të ketë mandat deri në verën e vitit 2024, nëse ndërkohë nuk caktohen zgjedhje të parakohshme. / Alsat.mk