Përurohet objekti shkollor në lagjen Bardhi

Përurohet objekti shkollor në lagjen Bardhi

Gazetar: Adrian Kerimi

Pas një dekade sensibilizimi dhe presioni, lagja Bardhi në Bllacën e Poshtme u bë me shkollë fillore. Ndonëse nuk ishte asnjë tabelë me emrin e shkollës, e njëjta do ta mbajë emrin e shkollës së Bllacës, “Mihaill Grameno”. Shkolla e ndërtuar me sistem modular do të shërbejë për nxënësit deri në klasën e 5. Ndonëse mungojnë mësimdhënësit dhe kuadri udhëheqës, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se më 1 shtator mësimi do të fillojë edhe në këtë shkollë.

“Nga ky vit shkollor nxënësit fillojnë këtu. Pas ditës së sotme çdo gjë do të kompletohet nga MASH-i. Unë pres që nesër nxënësit të fillojnë në këtë shkollë. Po shohim përgatitjet. Përveç nxënësve të klasës së parë do të shohim edhe nxënësit e klasave tjera në pjesën tjetër të shkollës që të mund t’i kombinojmë paralelet. Atë që po e them tani do të zbatohet që nesër”, u shpreh Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Oborri i shkollës nuk është rregulluar, por kreu i komunës thotë se një gjë e tillë është në procedurë e sipër.

“Për momentin po punojmë për rrethojnë e shkollës dhe do të vazhdojmë me trotuaret, hyrja e shkollës dhe gjërat e tjera. Tani e tutje këto gjëra kanë prioritet të cilat duhet t’i mbarojmë”, tha Sasho Komnenoviq, Kryetar i Komunës së Çuçer Sandevës.

Fëmijët e Bllacës së Poshtme ndër vite procesin edukativ e kanë ndjekur në anën tjetër të kufirit, respektivisht në Hanin e Elezit në Kosovë. Disa herë ishte premtuar ndërtimi i kësaj shkolle kryesisht në fushata zgjedhore, por realizimi ishte harruar pas përfundimit të proceseve zgjedhore. Gur themeli i kësaj shkolle u vë në janar të këtij viti.

 

LEXO EDHE:

Back to top button