Përzierja e vaksinave kundër COVID-19 “ofron mbrojtje të mirë”

Marrja e dy dozave të ndryshme të vaksinave kundër koronavirusit, ofron mbrojtje të mirë kundër pandemisë, ka gjetur një studim në Mbretëri të Bashkuar.
Studimi ka analizuar efikasitetin e marrjes së dy dozave të vaksinës së kompanive Pfizer/BioNTech, dy të AstraZenecas, dhe nga një dozë të secilës dhe është kryer nga Grupi për Vaksina i Universitetit të Oksfordit, dhe një varg rrjetesh në gjithë Britaninë.
Të gjitha kombinimet kanë funksionuar për sistemin imunitar.
Ekspertët kanë thënë se këto njohuri mund të ofrojnë fleksibilitet për fushatën e vaksinimit.
Zëvendës-shefi britanik për mjekësi, Jonathan Van-Tam, ka thënë se nuk ka arsye për të ndryshuar dozën e dytë, që ka marrë një person në Britani, për dallim nga e para, pasi ka mjaftueshëm doza.
Mirëpo ai ka thënë se studimi mund të jetë i dobishëm për të ardhmen.
“Përzierja e dozave mund të na ofrojë fleksibilitet më të madh për programin e përforcimit të vaksinave, ashtu sikurse për shtetet që mund të përballen me mungesë të dozave”.
Disa shtete veçse kanë nisur të përziejnë dozat.
Spanja dhe Gjermania janë duke ofruar vaksina të kompanive Pfizer apo Moderna, si doza të dyta për të rinjtë, që kanë marrë një dozë të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, pas shqetësimeve për trashje të rralla gjaku./REL