Pesë vende në Evropë po përballen me një valë të rrezikshme të të nxehtit

Vala e të nxehtit që ka kapluar Evropën vazhdon të shkaktojë zjarre shkatërruese në pyje. Kjo valë e të nxehtit është e dyta në pak më shumë se një muaj në Evropë. Sipas shkencëtarëve, shtimi i këtyre fenomeneve është pasojë e drejtpërdrejtë e ngrohjes globale.

Britania mund të ketë ditën e saj më të nxehtë në rekord sot pasi temperaturat pritet të arrijnë në 41C. Met Office ka lëshuar një paralajmërim të kuq për temperatura të larta në shumë pjesë të Anglisë – nga Jorku dhe Mançesteri në Londër dhe në pjesën juglindore të vendit, raportoi BBC.

Në Francë, Greqi, Portugali, Spanjë, zjarret kanë djegur mijëra hektarë, kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe javën e kaluar kanë marrë jetën e disa zjarrfikësve dhe punonjësve të shpëtimit. Deri më tani, nuk është raportuar për viktima nga zjarret në Francë dhe Spanjë, por autoritetet në Madrid kanë thënë se temperaturat e larta kanë shkaktuar qindra të vdekur.

Pothuajse 11,000 hektarë pyje janë djegur në Francën jugperëndimore që nga e marta. Shërbimi meteorologjik francez ka shpallur një kod të kuq për rrezikun e të nxehtit në 15 departamente në pjesën perëndimore të vendit, shenjë e pikut të të nxehtit ekstrem.

– Sot mund të jetë një nga ditët më të nxehta në Francë. Vapa është në rritje, vala e të nxehtit po përhapet në të gjithë shtetin, paralajmëron shërbimi shtetëror meteorologjik dhe pret shembjen e shumë rekordeve të temperaturave, veçanërisht në perëndim dhe jugperëndim të shtetit.

 Dy zjarret e mëdha që kanë pushtuar prej gjashtë ditësh në Francë kanë çuar në evakuimin e rreth 16.200 personave.

Rreth 20 zjarre në pyje janë ende të ndezura në Spanjë dhe janë jashtë kontrollit në pjesë të ndryshme të vendit. Në pjesën më jugore të vendit, zjarri që shpërtheu të premten në malet pranë Malagës është vënë nën kontroll mbrëmjen e djeshme.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri shkatërroi rreth 2,000 hektarë dhe detyroi evakuimin e më shumë se 3,000 banorëve.

Temperaturat dje arritën 39 gradë në Madrid, 39.7 gradë në Sevilje dhe maksimale 43.4 gradë në Don Benito afër Badajoz.

Një burrë 50-vjeçar vdiq dje nga goditja e nxehtësisë teksa ecte në rrugë në Torrejon de Ardos, afër Madridit, tha shërbimi i urgjencës. Kur mbërritën shërbimet e urgjencës, burri ishte në “arrest kardiorespirator” dhe me temperaturë trupi 40 gradë. Një ditë më parë në Madrid, një punëtor rrugor 60-vjeçar vdiq nga goditja e nxehtësisë. Ministria e Shëndetësisë e Spanjës njoftoi se nga data 10 deri më 14 korrik, si pasojë e temperaturave jashtëzakonisht të larta, kanë humbur jetën 237 persona.

Në Portugali mbretëroi qetësia: dje, për herë të parë që nga 8 korriku, temperaturat nuk i kaluan 40 gradët, tha shërbimi kombëtar meteorologjik, pasi të enjten arriti rekordin e korrikut prej 47 gradë. Sipas shërbimit të mbrojtjes civile të Portugalisë, vetëm një zjarr i madh, pranë Chavez-it në pjesën më veriore të vendit, konsiderohet aktiv dhe “praktikisht nën kontroll” në 90 për qind të perimetrit të tij.

Megjithatë, pothuajse i gjithë territori i Portugalisë është nën rrezikun “maksimal”, “shumë të lartë” ose “të lartë” nga zjarri, veçanërisht në rajonet qendrore dhe veriore.

Sipas të dhënave të fundit nga autoritetet portugeze, dy persona kanë humbur jetën nga zjarret e javës së kaluar, ndërsa rreth 60 janë lënduar. Nga 12,000 deri në 15,000 hektarë pyje janë djegur që nga fillimi i valës së të nxehtit. 

LEXO EDHE:

Back to top button