Pesë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA

Sot janë bërë 5 vite që kur Kosova u pranua me të drejta të plota në UEFA. Vendimi i madh për Kosovën u morr në Kongresin e Budapestit më 3 maj 2016, duke u thyer kështu izolimin e futbollit kosovar pas shumë përpjekjeve e angazhimeve nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të gjithë aktorëve të tjerë nga fusha e sportit.
Me këtë rast, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka potencuar se ky 5 vjetor e gjen Kosovën me më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare dhe kjo është bërë falë punës së madhe të ish-presidentëve të FFK-së, duke filluar nga Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe legjenda Fadil Vokrri.
Anëtarësimi në UEFA sipas Ademit, e ka ndihmuar shumë Kosovën në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe se kjo do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Krejt në fund, Ademi shpreson që sa më shpejtë të krijohen kushtet që tifozët dardanë të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumit sepse, sipas tij, përveç kreativitetit që krijojnë, ata janë tashmë një imazh shumë i mirë në futbollin botëror.