“Peshkatarët e tenderëve”, dyshohet se 20 persona kanë vjedhur 1 milion euro

20 persona fizik dhe 15 persona juridik të dyshuar për përfitime financiare nga furnizimet publike janë ndaluar nga policia financiare në kuadër të aksionit të koaduar “Peshkatari” i cili është hetuar prej disa muajve.

Për këtë grup të organizuar për “peshkimin” e tenderëve të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shtetërore, Prokuroria ngriti kallëzime penale për veprat: Evazion fiskal sipas nenit 279, Bashkëkryerja sipas nenit 22, Shpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar sipas nenit 353 dhe Ndihma sipas nenit 24 të Kodit Penal.

“Ky është njëri nga 20 të dyshuarit, të cilët po sillen në hapësirat e Policisë Financiare, ku në prani të prokurorit përgjegjës për krim të organizuar dhe korrupsion po merren në bisedë informative me dyshimin se kanë bërë evazion fiskal dhe krim financiar”

Nga Policia Financiare thanë për Alsat se kanë rënë në gjurmë të rrjetit nga transaksionet bankare me shuma të majme, duke krijuar edhe firma fiktive për të thithur fondet publike.

Policia Financiare:

“Personi M. I. nga Shkupi sipas udhëzimeve dhe marrëveshjes së mëparshme me F. K. dhe E.K. nga Tetova, M. T. dhe A. D. nga Velesi, D. T., M. K. dhe V. B. nga Shkupi, në periudhën 2015-2017 në emër të katër personave juridik kanë përgatitur dhe dorëzuar 96 fatura me përmbajtje të pavërtetë nga 71,384,348 denarë përfshirë TVSH-në, pa pasur një marrëdhënie reale borxhi-kreditori me 8 persona tjerë juridikë dhe prej tyre morën fonde në vlerë totale prej 66,686,686 denarë në llogaritë bankare të depozituara në Capital Bank AD Shkup, të cilat ishin tërhequr pastaj në para të gatshme”

Policia Financiare kumtoi se fondet u tërhoqën në kundërshtim me rregulloret ligjore si hua ose kosto materiale, për të cilat ato nuk kishin asnjë justifikim ekonomik dhe nuk ishin në funksion të veprimtarisë së personit juridik dhe i kthyen ato me para te përdoruesit e faturave fiktive, dhe mbajti një komision për shërbimin në vlerë prej 2 % në 5%. Në mesin e të dyshuarve janë edhe bankierë, kontabilistë dhe biznesmenë.

Policia Financiare:

“Të dyshuarit me marrëveshje paraprake kishin përdorur fatura fiktive për prokurimin e pretenduar të mallrave dhe shërbimeve në vlerë totale prej mbi 70 milion denarë përfshirë TVSH-në në vlerë prej  mbi 9 milion denarë dhe në llogaritë përfundimtare shprehën të dhëna të pasakta dhe zvogëloi bazën tatimore për TVSH në shumën prej mbi 7 milionë denarë”

Sipas përllogaritjeve është dëmtuar Buxheti i shtetit në bazë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, Tatimit mbi Fitimin dhe Tatimit Personal në të ardhura prej 62,933,835 denarë, apo mbi 1 milion euro. Të dyshuarit, pas bisedës informative do të nxirren para gjykatësit të procedurës paraprake për shqiptim të masave të arrestit apo edhe mbrojtje në liri. Sipas Kodit penal, vetëm akuza e evazionit fiskal është e dënueshme me burg nga 5 deri në 7 vjet.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button