Petkov në izolim, shtyhet vizita e tij në Shkup

Gazetar: Lluka Andreev

Sofja nuk heq dorë nga Deklarata, por as Shkupi nga Rezoluta e saj. Derisa historia dhe gjuha, sipas pikëpamjeve të Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare Bullgare, pritet të mbeten pengesa kryesore për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë, autoritetet në të dyja vendet paralajmërojnë kthimin e besimit dhe një hap përpara, sidomos në planin ekonomik. Megjithatë, edhe tek autoritetet maqedonase edhe te ato bullgare nuk ka optimizëm. Ish-kryeministri bullgar Bojko Borisov tha se seanca e djeshme e Këshillit ishte e panevojshme, ndërsa pasardhësi i tij Kiril Petkov është vënë në vështirësi.

“Presidenti dje i ka hequr çdo mundësi për të manovruar. Sepse kur të gjitha partitë politike qëndrojnë pas një qëndrimi, qoftë edhe në Parlament, nuk ka se si të kërkohet ndonjë reagim për momentin. Si është korniza? Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të anëtarësohen në BE. Si do të ndodhë kjo? Ja, Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, tashmë është shkruar”, deklaroi Bojko Borisov – ish-kryeministër i Bullgarisë.

Pasi presidenti bullgar Rumen Radev tha se procesi nuk duhet të jetë i kufizuar me afate, sot mandatari Dimitar Kovaçevski tha se ai është optimist racional që nuk është i lidhur me data. Në anën tjetër, VMRO-DPMNE dyshon se do të ketë progres dhe ka bërë thirrje që në këtë proces të përfshihet në mënyrë më aktive edhe presidenti i shtetit.

“Nga njëra anë, shohim Rumen Radev, i cili në Bullgari për interesat e tij kombëtare, që neve nuk na pëlqejnë, por ata e bëjnë këtë, i mbledhin liderët politikë dhe së bashku ndërtojnë një qëndrim nga i cili nuk ka shmangie as nga qeveria dhe as nga opozita. Nga ana tjetër, Pendarovskin nuk e kemi parë që nga viti i ri e këndej”, tha Aleksandar Nikoloski – VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, sot është bërë e ditur se Kirill Petkov nuk do ta vizitojë Shkupin të martën, siç ishte planifikuar. Nuk është caktuar datë e re për vizitën. Ai përfundoi në izolim, për shkak të kontaktit me kryetarin e parlamentit bullgar Nikolla Minçev, i cili ishte infektuar me koronavirus./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button